Bota ndahet nga një vit i vështirë, pret vitin e ri me shpresë

schedule19:55 - 31 Dhjetor, 2020

schedule 19:55 - 31 Dhjetor, 2020

Pas Zelandës së Re, Australia përshëndeti Vitin e Ri 2021, me një spektakël fishekzjarresh mbi Shtëpinë e Operas në Sidni. Por si asnjë herë tjetër, ky vit i ri nuk u prit me turma festive, të cilat janë ndaluar për shkak të pandemisë.

Në asnjërin prej kryeqyteteve të mëdha të botës nuk do të ketë festime si ato që bëhen zakonisht.

Në Broadway të Nju Jorkut do të lëshohet si zakonisht topi i madh që shënon ndryshimin e viteve.

Por në vend të qindra mijëra njerëzve që duhet të mblidheshin pranë njëri-tjetrit në sheshin Times Square, audienca do të jetë mjaft e vogël kësaj here.

Do të jetë vetëm një grup i zgjedhur infermierësh, mjekësh dhe punonjësish të tjerë të vijës së parë bashkë me familjet e tyre, të cilët do të qëndrojnë në distacim fizik, dy metra nga njëri-tjetri.

Me më shumë se 1.7 milionë të vdekur dhe 82 milionë të infektuar në të gjithë globin, mbarimi i këtij viti mbetet si asnjë tjetër në kujtesën e njerëzve.

E megjithatë viti i ri fillon me shpresën se vaksinat që po fillojnë të shpërndahen në të gjithë globin do të ndihmojnë në frenimin e pandemisë./VOA