Nga Dmytro Kuleba “Washington Post”
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Për dekada me radhë, udhëheqësit botërorë janë përkulur me nderim para memorialeve të luftës në të gjithë Evropën, duke deklaruar me solemnisht:”Kurrë më!”. Ka ardhur koha të vërtetohet se ato nuk ishin fjalë boshe.
Rusia ka nisur në Evropë një luftë, e frymëzuar nga ekspansionizmi i saj i urryer. Më vonë, historia do të gjykojë secilin prej nesh më vonë, se si e përballuam këtë të keqe. Jam i bindur që të gjithë do ta kalojmë këtë test. Por me çfarë çmimi?
Sigurisht, krahasimet me Hitlerin dhe nazizmin janë mbi-përdorur dhe zhvlerësuar gjatë dekadave të fundit. Por s’ka asnjë dyshim se ndërsa presidenti rus Vladimir Putin vazhdon të bombardojë qytetarët tanë dhe të vrasë civilë të pafajshëm, pushtimi i tij po ndjek manualet e Hitlerit dhe Stalinit.
Hera e fundit që Kievi dhe qytetet e tjera të Ukrainës, u përballën me një agresion ushtarak kaq brutal, ishte në orët e para të 22 qershorit 1941, kur Hitleri nisi pushtimin e tij sovjetik, Operacionin Barbarosa.
Në fjalimet e tij para dhe gjatë pushtimit, Putin nuk ka mundur ta fshehë urrejtjen e tij ndaj ukrainasve, dhe të drejtën e tyre për të ekzistuar në shtetin e tyre sovran. Qytetarët dhe trupat ruse, janë helmuar për vite me radhë me një propagandë toksike, duke i etiketuar ukrainasit “neo-nazistë”.
Dhe ne kemi frikë se nuk e kemi parë përmasën e plotë të tmerreve, që ata mund të jenë në gjendje të kryejnë kundër nesh. Vetëm dy ditë pas fillimit të pushtimit, në mediat shtetërore ruse u publikua një artikull që shpallte para kohe pushtimin e Ukrainës nga Rusia, dhe e quante haptazi “operacionin special” të Putinit në Ukrainë një “zgjidhje për çështjen e Ukrainës”.
Ai shkrim u fshi, por uebi ka një kujtesë të qëndrueshme. Fjalët “zgjidhja e çështjes së Ukrainës”, duhet të na alarmojnë të gjithëve. Nëse nuk po përsëritet historia, atëherë çfarë është? Sigurisht, e keqja ka zënë gjithmonë rrënjë në rrethana të ndryshme.
Por ne nuk mund ta lëmë mënjanë faktin se jemi dëshmitarë të një përpjekjeje barbare për të rishkruar kufijtë nëpërmjet një force brutale, dhe për të fshirë identitetin kombëtar dhe vetëvendosjen e një populli, pa asnjë hapësirë për kompromis.
Ngjitja në pushtet dhe sulmet e Hitlerit, u mundësuan nga pamundësia për t’u përballur që herët me të. “Krokodili”i hëngri pacifistët një nga një. Dhe kostoja për të ndalur ambiciet e tij globale ishte shkatërruese. Ne nuk mund të përsërisim të njëjtat gabime që janë bërë 8 dekada më parë.
“Kurrë më”, do të thotë të veprosh para se të jetë tepër vonë. “Kurrë më”, do të thotë ta ndalosh agresorin, përpara se ai të shkaktojë më shumë vdekje dhe shkatërrim. “Kurrë më”, do të thotë të mos lejojmë të paralizohemi nga frika.
Populli i Ukrainës, së bashku me ushtrinë tonë, janë të përkushtuar ndaj këtij parimi. Ata po e vërtetojnë këtë me një heroizëm, stoicizëm dhe rezistencë të paparë që nga konflikti i fundit që përfshiu botën. Ukraina do të triumfojë, drita do të fitojë mbi errësirën, siç tha edhe presidenti Volodymyr Zelensky.
Ukraina e ka dështuar tashmë sulmin Blitzkrieg të Putinit, u ka shkaktuar humbje katastrofike pushtuesve, dhe e ka penguar Rusinë të arrijë qëllimet strategjike të pushtimit të saj. Ne po e mbajmë territorin tonë. Por kemi nevojë për më shumë mbështetje.
Rusia duhet të përballet me sanksione më të rënda, për ta penguar financimin e mëtejshëm të pushtimit të saj. Ukraina do të ketë nevojë për një furnizim të qëndrueshme me armë
të nevojshme; dhe populli ynë do të kërkojë ndihmë financiare për civilët e prekur nga agresioni rus, dhe më vonë për të rindërtuar kombin tonë.
Ne e shohim, ndiejmë dhe vlerësojmë solidaritetin e botës. Admirimi për popullin, forcat e armatosura dhe presidentin tonë, na mbush me krenari. Por ndalimi i Putinit do të kërkojë hapa të vendosur dhe të menjëhershëm. Neve na duhen avionë.
Kemi nevojë për sisteme efektive të mbrojtjes ajrore dhe të mbrojtjes raketore. Ne duhet të mbrojmë hapësirën tonë ajrore për të penguar avionët dhe raketat ruse të vrasin më shumë civilë.
Në aspektin e sanksioneve, banka shtetërore ruse Sberbank duhet të përjashtohet nga sistemi SWIFT, vendet duhet të ndalin blerjen e naftës ruse, e cila është tani e ndotur me gjakun e ukrainasve, të ndalojnë ankorimin e anijeve ruse nga portet e tyre, si dhe të ngrijnë asetet financiare ruse në Shtetet e Bashkuara, Zvicër, Japoni, Britani dhe Bashkimin Evropian.
Rusia dhe Putini duhet të izolohen plotësisht. Ambasadorët dhe përfaqësuesit rusë duhet të përjashtohen nga organizatat ndërkombëtare. Duhet të zgjerohet përjashtimi i rusëve nga aktivitetet kulturore dhe ato sportive.
Unë e di se disa nga këto veprime kanë ndodhur. Si përfaqësues i Ukrainës në botë, jam shumë i prekur nga miliona njerëz që kanë protestuar kundër pushtimit rus në rrugët e kryeqyteteve të tyre, duke e shtuar presionin ndaj qeverive të tyre për të vepruar. Por mund dhe duhet bërë shumë më tepër për ta ndalur Rusinë.
Nuk ka kohë për të pritur apo hezituar. Koha për ta kaluar këtë test kolektiv ndaj njerëzimit tonë është tani. “Kurrë më” duhet të bëhet një thirrje tubuese, një thirrje për veprim, dhe jo një premtim solemn por bosh. Koha për të provuar se shekulli XXI-të do të jetë ndryshe nga shekulli XX, është pikërisht tani.