Boston tregon veten

schedule19:05 - 4 Shkurt, 2019

schedule 19:05 - 4 Shkurt, 2019

Boston Celtics arriti një fitore të rëndësishme në basketbollin amerikan, në një duel të fortë me Oklahomën. Ylli kryesor, Irving, ishte ai që vendosi suksesin

Qyteti i famshëm amerikan pati një sukses të dyfishtë sportiv. Tifozët e Bostonit mund të ndihen fatlumë, pasi bashkë me fitoren e titullit të Superboulit nga Neë England Patriots, triumf arriti edhe skuadra e basketbollit.

Boston Celtics ia doli 134-129, në një përballje të fortë me Oklahomën, dhe vendimtar ishte Irving. Ylli kryesor shënoi 30 pikë, kapi 4 topa në tabela, shërbeu plot 11 pasime për kosh dhe bllokoi një gjuajtje.

Së fundi është diskutuar shumë për mundësinë e largimit të tij nga Bostoni, madje është thënë se ai dëshiron të bashkohet sërish me Lebron James.

Për momentin, sidoqoftë, Irving thjesht po jep maksimumin për klubin më historik në NBA. Celtics me siguri që do të bëjnë ç’mos për ta mbajtur, madje shpresojnë ta bindin duke forcuar skuadrën.

Lajmet janë që do të synohet të merret ylli I Nju Orlinsit, Entoni Dejvis, edhe pse kjo mund të bëjë që të largohen disa nga yjet e rinj si Morris, Horford, Braun apo Rozier. Gjithsesi, i paprekshëm duket se është vetëm Xhejzën Tatëm.

Oklahoma luftoi fort dhe nuk ishte larg fitores, me dy lojtarët më të mirë që ishin në nivel të lartë. Pol Xhorxh shënoi 37 pikë, përfshi edhe 5 gjuajtje nga distanca. Rasëll Uestbruk arriti tripëll dabëllin e radhës, të 123-in në karrierë, me 22 pikë, 12 topa në tabela e plot 16 pasime për kosh, duke shtuar edhe 2 vjedhje topi.

Oklahoma është e treta në Konferencën Perëndimore, dhe Bostoni është po ashtu i treti në Konferencën Lindore, me 4 fitore radhazi, dhe në pozicion të mirë për plej ofin. Gjithsesi, sukseset varen nga Irving, dhe shpresa është që ai të mos dëmtohet./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!