BE ka dënuar vendimin krejtësisht të pabazë të autoriteteve ruse për të bllokuar aksesin në 81 media europiane në Rusi, theksoi Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell.
Sipas tij, ky vendim kufizon më tej aksesin në informacion të lirë dhe të pavarur dhe zgjeron censurën tashmë të rreptë të medias ruse.
“Mediat europiane funksionojnë sipas parimeve dhe standardeve gazetareske. Ata gjithashtu japin informacione reale për publikun rus, duke përfshirë luftën e paligjshme të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.
Në të kundërt, mediat ruse të dezinformimit dhe propagandës, ndaj të cilave BE ka vendosur masa kufizuese, nuk përfaqësojnë një media të lirë dhe të pavarur.
Aktivitetet e tyre të transmetimit në BE janë pezulluar sepse këto media janë nën kontrollin e autoriteteve ruse dhe janë instrumentale në mbështetjen e luftës së agresionit kundër Ukrainës.
Respekti për lirinë e shprehjes dhe medias është një vlerë thelbësore për BE-në, dhe do të vazhdojë të mbështesë disponueshmërinë e informacionit faktik për publikun në Rusi,” përfundoi ai.
/abcnews.al