Kreu i diplomacisë europiane, Joseph Borrell, shprehu besimin se krijimi i një shteti palestinez është mënyra më e përshtatshme për të garantuar sigurinë e Izraelit.
Pas përfundimit të turit të tij në Lindjen e Mesme, ku ai vizitoi Izraelin, dhe në fakt për herë të parë në mandatin e tij, Bregun Perëndimor, Bahrein, Katar dhe Jordani, Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme të BE-së mbajti ditën e djeshme një takim urgjent nëpërmjet telekonferencës së ministrat e jashtëm të BE-së
Në një deklaratë me shkrim pas takimit, Josep Borrell theksoi se kishte arritur një “përfundim themelor” nga bisedimet që pati me liderët rajonalë.
“Unë mendoj se mënyra më e mirë për të garantuar sigurinë e Izraelit është krijimi i një shteti palestinez.” Ai shtoi në të njëjtën kohë se, “pavarësisht sfidave të mëdha, ne duhet të avancojmë idetë tona për stabilizimin e Gazës dhe të ardhmen e shtetit palestinez”.
Në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së Javën e kaluar në Bruksel, Josep Borrell prezantoi disa ide për të ardhmen pas përfundimit të konfliktit aktual, të cilat ai i diskutoi gjerësisht me të gjitha vendet e BE-së.
Ndër të tjera, ai propozoi që Izraeli të mos vazhdojë me pushtimin e Gazës dhe në vend të kësaj ta vendosë atë nën kontrollin absolut të Autoritetit Palestinez. Megjithatë, tani për tani dhe pas vizitës së tij në rajon, kreu i diplomacisë europiane po folur për krizën humanitare që po shpaloset në Gaza.
/abcnews.al