Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian, të mbledhur në Luksemburg kanë diskutuar mbi dialogun Prishtinë-Beograd pas raportimit të kryer nga emisari i posaçëm i kësaj organizate për dialogun, Miroslav Lajçak.
Bashkimi Europian favorizon një marrëveshjeje të ndërsjellë dhe ligjërisht të detyrueshme sa më të shpejtë midis dy palëve. Për shefin e diplomacisë europiane, Josep Borrel, arritja e kësaj marrëveshje është çështje muajsh dhe jo vitesh nëse të dyja palët angazhohen në mënyrë konstruktive.
Kështu u shpreh përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme dhe të sigurisë, Josep Borrel në një konferencë për shtyp pas takimit të ministrave të jashtëm.
Borrel, shefi i diplomacisë europiane
“Personalisht mendoj, se arritja e një marrëveshjeje ështê një çështje muajsh dhe jo vitesh nëse të dyja palët angazhohen në mënyrë konstruktive. Ne nuk duam që të nxisim negociatat në mënyrë artificale, por ne nuk duam zvarritje. Ka marrëveshje që duhen zbatuar dhe marrëveshje për të cilat nevojitet dakordësi. Ne mbështesim të gjitha përpjekjet e bëra në kuadrin e dialogut Prishtinë-Beograd.
Ne mirëpresim Shtetet e Bashkuara të Amerikës si një partner i rëndësishëm. Vendet që aspirojnë integrimin europian duhet të përmbushin kushtin e forcimit të marrëdhënieve të mira të fqinjësisë dhe bashkëpunim rajonal. Ky është një kusht dhe politikanët duhet të japin shembull personal duke zgjedhur për të punuar së bashku dhe promovuar klimën e besimit të ndërsjellë”.
Shefi i diplomacisë europiane ka nënvizuar, se dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit nuk është gjithnjë një çështje e lehtë, por të dyja palët kanë vullnetin të ecin përpara.
“Ne kemi patur 3 raunde të larta dialogu me presidentin e Serbisë dhe kryeministrin e Kosovës ; Kjo nuk është gjithnjë e lehtë, por të dyja palët shprehën gatishmërinë për ecur përpara me dialogun pavarësisht çështjeve të dhimbshme dhe komplekse në tryezë. Të dy liderët kanë konfirmuar që ata i përkushtojnë rëndësinë më të madhe integrimit europian. Ata e dinë që gjetja e një zgjidhjeje për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradin, cilado qoftë ajo është një kusht në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE. Ne jemi duke lehtësuar dialogun dhe njëkohësisht kemi kapacitetin për të lehtësuar këtë proces, duke qenë se perspektiva europiane jepet nga Bashkimi Europian.”
Shefi i diplomacisë europiane ka thënë gjithashtu se emisari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak ka mbështetjen e ministrave të jashtëm të BE-së. /abcnews.al/

