Boris Johnson: Brenda datës 31 tetor do të nxjerr vendin nga BE

schedule15:00 - 23 Korrik, 2019

schedule 15:00 - 23 Korrik, 2019

Në fjalën e tij të parë si lideri i konservatorëve, kryeministri i ri i Britanisë së Madhe tashmë, Boris Xhonson, premtoi se do të nxjerrë vendin nga Bashkimi Europian brenda datës 31 tetor, me apo pa marrëveshje.

Boris Xhonson është lideri i ri i konservatorëve britanikë. Është ky rezultati i votimit të 160 mijë anatarëve të konservatorëve britanikë për atë që do të zëvendësojë Tereza Mej. Xhonson ka marrë 92 mijë vota pro duke lënë prapa Xheremi Hant me 47 mijë vota. Të mërkurën ai do të emërohet dhe si kryeministër i ri i Britanisë së Madhe. Pas shpalljes së rezultateve, ai bëri shaka duke iu drejtuar atyre që e kishin votuar duke u thënë se do të kishte nga ata që do kritikonin pjekurinë e vendimit që kishin marrë.

Në fjalën e tij para konservatorëve, Xhonson falenderoi Hant duke e cilësuar një rival të mrekullueshëm, por falenderoi dhe Tereza Mej. Për sa i përket temës delikate për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian, Xhonson renditi tre objektiva për t’u arritur: Aktivizimi i Brexit, bashkimi i vendit, dhe humbja e Xheremi Korbin. Lideri i ri i konservatorëve përsëriti dhe njëherë më shumë atë që e ka thënë dhe në të kaluarën, përfundimi i procedurave të Brexit në 31 tetor. Ai theksoi se vendit i duhet energji por dhe partisë, duke mos pasur frikë nga sfidat. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!