Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, pas bisedës telefonike me Vuçiç ka diskutuar me udhëheqësit e Kosovës lidhur me vendimin për të emëruar një Përfaqësues të Posaçëm të BE-së për Dialogun dhe Ballkanin Perëndimor.
“Përfaqësuesi i Lartë nënvizoi se ky emërim pasqyron rëndësinë që BE-ja dhe ai personalisht i kushtojnë stabilizimit të rajonit dhe përparimit në rrugën drejt BE-së. Josep Borrell kujtoi se ai mbetet personalisht i angazhuar dhe i përkushtuar fuqimisht për të mbështetur perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe për të luajtur rolin e tij si lehtësues i dialogut Beograd-Prishtinë’, thuhet në njoftimin nga zyra e Borrell.
Në këtë njoftim ndër të tjera bëhet me dije se Borrell ka theksuar se në këtë komunikim ka përditësuar diskutimin që ka pasur me udhëheqësit, gjatë vizitës së tij në Prishtinë dhe Beograd, në muajin janar.
Në Beograd, Borell kishte thënë se BE-ja duhet të angazhohet më shumë në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës.
“Bashkimi Evropian duhet të emërojë një përfaqësues të posaçëm, i cili do të jetë shumë i angazhuar sepse unë nuk jam i sigurt se do të kem kohë të mjaftueshme për t’u angazhuar dhe për ta shtyrë dialogun përpara”, ka thënë Borell, pas takimit me presidentin serb.
Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë në fund të vitit 2018 kur Kosova u ka vënë taksë 100 për qind importeve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës. Serbia e ka kushtëzuar rikthimin në dialog me heqjen e taksës, por Kosova përkundër thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar vazhdon ta mbajë në fuqi këtë masë.
Ndërkohë në tetor të vitit të kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump ka emëruar ambasadorin e SHBA-së në Gjermani, Richard Grenell, si të dërguarin e posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë./abcnews.al