Borë në të gjithë vendin/Kukësi minus 8 gradë

schedule12:49 - 26 Shkurt, 2018

schedule 12:49 - 26 Shkurt, 2018

Pothuajse në gjithë vendin ka patur reshje të borës, por pa shkaktuar probleme serioze. Rrugët kryesore janë të kalueshme, por ato rurale mbetën të bllokuara. Nga ana tjetër, shume fshatra kanë mbetur pa energji elektrike.

Kukës

Temperaturat zbritën deri në minus 8 gradë Celsius në Kukës. Erërat e forta dhe stuhitë  sollën probleme në qarkullim.  Rruga e Kombit mori një shtresë akulli dhe borë të ngrirë.  20 mjete borëpastruese janë në dispozicion. Në zonat rurale thuajse të gjitha rrugët janë të pakalueshme që lidhin Kukësin me  Shishtavecin, Grykeçajen, Ujmishtin, Surrojin, Arren, Kalis, Malzi, Zapod e Topçojan. Por peorbleme ka edhe në qytet. Tubacionet e ujit të pijshëm kanë ngrirë, kurse në shumë shkolla nuk ka nisur procesi mësimor.

Dibër

Trashësia e borës në qytetin e Peshkopisë kalon 30 cm, ndërsa në zonat e thella, shkon në mbi 50 cm. Të gjitha rrugët e Njësive Administrative të Dibrës janë të bllokuara. Rruga nacionale Peshkopi – Tiranë kalohet me vështirësi me zinxhirë. Problematike në këtë segment është Qafa e Moronicës, Pishat e Bulqizës, Qafa e Buallit dhe Qafa e Ulzës. Rruga Peshkopi – Kukës momentalisht është e pakalueshme, edhe pse mjetet janë në punë. Problem ngelet Kalaja e Dodës, ndërsa aksi Ura e Çerenecit – Stebleve është i bllokuar. Po ashtu e bllokuar është edhe rruga Qafa e Buallit – Martanesh.

Korçë

Të gjitha rrugët nacionale në Juglindje janë të kalueshme vetëm me zinxhirë. Trashësia e borës varion nga 15 deri në 20 cm. Në Qafën e Qarrit, Qafë Plloçe dhe Qafë Thanë, trashësia e borës 30 cm. Në Voskopojë, ka rënë mbi 40 cm borë. Rruga është e hapur, por lëvizja dhe pse me zinxhirë bëhet me vështirësi. Rruga drejt pikës turistike të Dardhës është e bllokuar prej mbrëmjes së dielë. Aty  janë regjistruar 70 cm borë.  Zonat e thella malore të Korçës ,Devollit, Kolonjës, Pogradecit kanë mbetur të izoluara.

Llogara

Në Llogara lëvizja e mjeteve po bëhet me vështirësi për shkak të reshjeve të borës. Policia, u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të cilët kanë intinerar zonën e Llogarasë, të jenë të pajisura me zinxhirë për qarkullim.

Elbasan 

Reshjet e borës dhe era ka shkaktuar akull në shumë rrugë të Qarkut të Elbasanit. Vëmendja është përqëndruar në rrugën Elbasan-Qafë Thanë. Rruga që lidh Librazhdin me Bulqizën është e bllokuar. Fshatrat e thella malorë si Rrajca, Sopoti, Polisi, Stëbleva, Luniku, Orenja etj. janë të bllokuar. E njëjta situatë edhe në fshatra të thellë malorë të Gramshit si në Skëndërbegas, Lënie, Poroçan. Në disa fshatra ka mungesë të energjisë për shkak të këputjes së përcjellësave apo shembjes së shtyllave nga dëbora. Sikurse në disa shkolla nuk është bërë transporti i mësuesve dhe nxënësve.

Lezhë

Pas shumë vitesh dëbora zbardhi edhe Ultësirën e Lezhës si dhe zonën bregdetare. Reshjet nisën pasditen e dielë duke rritur intensitetin në orët e mbrëmjes. Nuk u shënua asnjë problematikë, ndërsa pati vetëm dalje të 3 automjeteve nga rruga, si pasojë e pakujdesisë në lëvizje, por pa shkaktuar të lënduar. Në Laç – Milot lëvizja po bëhet me vështirësi për shkak të ngricave në rrugë.

 Shkodër

Pas dy ditë reshjesh, bora e zbardhi qytetin e Shkodrës. Por në rang Qarku, nuk ka probleme të rënda. Me përjashtim zona e thellë në Pukë, ku bora është e shoqëruar me stuhi të fortë. Në disa zona në Qafë Mali trashësia shkon 1.5-2m. Trashësia normale në gjithë këto zona është rreth 80 cm. Në Malësinë e Madhe vetëm disa rrugë, ato drejt Thethit dhe Boges bëhen me zinxhirë. Kurse në Qafë Mali-Fierzë aktualisht ka rreth 40 cm borë.

Punuan gazetarët: Bujar Muçmata, Simon Shkreli, Daniela Zisi, Neki Feta, Elton Nika, Fatos Salliu, Gjergj Figuri, Ahmet Zani

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!