Borë dhe ngricë në Dibër, probleme lëvizje në disa akse

schedule09:01 - 15 Janar, 2021

schedule 09:01 - 15 Janar, 2021

Reshje bore dhe temperatura të ulëta deri në -10 gradë kanë karakterizuar motin më 24 orët e fundit në Qarkun e Dibrës. Reshjet kanë qenë të pakta në qytet 5 cm ndërsa në zonat malore deri më 15-20 cm. Kjo sasi e vogël reshjesh e shoqëruar me ngrica ka krijuar probleme kryesisht në qarkullimin e mjeteve brenda qytetit si pasojë e akullit të krijuar.

Aksi kombëtar Peshkopi – Qafë Buali – Tiranë është i kalueshëm pa probleme pasi mjetet borëpastruese kanë kriposur gjithë segmentin. Aksi Peshkopi – Kukës i kalueshëm me zinxhirë në disa segmente ku ka pasur stuhi dhe era ka grumbulluar borë, si dhe në zonat që nuk i kap dielli.

Ndërkohë aksi Peshkopi – Qafë Draj kalohet, por në segmentin Ura e Dodës -Qagë Draj duhet të përdoren zinxhirë,  Ura e Çerenecit – Steblevë kalimi bëhet pjesërisht me zinxhirë dhe në aksin Qafë Bualli – Krastë kalimi pjesërisht me zinxhirë.

Probleme me qarkullimin ka në rrugët që lidhin njësitë administrative me rrugët kryesore dhe rrugët e brendshme të fshatrave, kështu janë hasur probleme në njësitë administrative Lurë, Reç, Selishtë Kala e Dodës, Sllovë në rrethin e Dibrës.

Në Bulqizë ka pasur probleme në rrugët e brendshme të qytetit , ndërkohë me vështirësi kalohet në njësitë Krastë, Tërnovë dhe në fshatrat e zonës së Gollobordës.

Në rrethin e Matit ka pasur reshje bore por nuk ka shkaktuar probleme, në fshatrat njësive Xibër, dhe Macukull mund të shkohet vetëm me zinxhirë./abcnews.al