“Bonusi për pensionistët do të rritet”, Rama shpalos dy objektivat madhorë për mandatin e katërt qeverisës

schedule13:56 - 29 Tetor, 2024

schedule 13:56 - 29 Tetor, 2024

FIER- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, paralajmëroi rritje të bonusit të fundvitit për pensionistët.

Ai tha se kjo gjë do jetë e përhershme, duke shtuar se kjo kategori e shoqërisë duhet të ndjejë efektin e rritjes ekonomike.

“Ne kemi vendosur çdo vit një shumë jo të vogël por 20 milionë dollarë për të kompensuar energjinë elektrike të pensionistëve të vetmuar, ose atyre që janë kryefamiljar, janë çift ose vetëm. Tani që të gjithë kanë marrë përfitimet e tyre nga rritja e ekonomisë, në formën e pagave, në formën e investimeve, edhe pensionistët duhet të hyjnë në këtë mozaik dhe pensionistët të marrin një përfitim nga ekonomia që rritet. Ne do përgatitemi për një bonus të ri, të jetë më i lartë se ky që është, sepse ndryshe s’kemi pse diskutojmë. Ky është hapi i parë, i menjëhershëm dhe i përhershëm. Është një fond që do ta lëmë mënjanë për pensionistët. Po bëjmë projeksionet për të filluar rritjen graduale brenda mandatit të ardhshëm. Jemi duke punuar për një tjetër masë, që të lidhim pensionistët me rritjen ekonomike të drejtpërdrejtë. Ne duam që çdo gjë që rritet përtej parashikimeve, duhet ta lidhim me pensionistët”, tha ai.

Më tej, shefi i qeverisë shpalosi dy objektivat madhorë në mandatin e katërt qeverisës.

“Dy objektivat për mandatin e katërt. E para është anëtarësimi në BE dhe e dyta është lehtësimi sa më i madh i frymëmarrjes së pensionistëve, që Shqipëria në BE, të mos jetë vetëm Shqipëria e të gjithë të tjerëve që janë në moshën aktive me mundësi më të mëdha, ku të jetë dhe Shqipëria ku pensionistët e fillojnë ditën më të qeshur. Këto janë dy objektivat themelorë të mandatit të katërt dhe mos kini asnjë dyshim”, u shpreh ai.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!