Juventus është ekipi i vetëm italian që është kualifikuar për fazën tjetër në Champions League. Edhe tre ekipet e tjera Napoli, Inter dhe Atalanta akoma e kanë një shans në ndeshjet e fundit. Lideri i mbrojtjes juventine, Leonardo Bonucci, ka deklaruar se kërkon të shmangë në short londinezët e Tottenham.
“Nëse mund të zgjedh një ekip për ta evituar, padyshim që është Tottenham. Në ndeshjet direkte diferencën e bën një trajner si Mourinho. Tashmë që ata janë kthyer tek fitoret, mund të bëhen më të rrezikshëm, me gjithë respektin për Pochettinon”, deklaron italiani për ‘Sport Mediaset’.
“Interi? E dinim që një ditë do të riktheheshin. Ne vazhdojmë punën tonë, jemi të parët në renditje. Pas kualifikimit në Champions, tashmë jemi të përqendruar vetëm në kampionat. Nuk kemi pse shikojmë rivalët tanë sepse e kemi vetë në dorë”, mbyll mbrojtësi 32-vjeçar. /abcnews.al