Bonucci: Me Sarrin e shoh futbollin ndryshe! Me fat që kemi CR7 në ekip

schedule12:51 - 25 Shkurt, 2020

schedule 12:51 - 25 Shkurt, 2020

Mbrojtësi i Juventusit, Leonardo Bonucci, ka folur në prag të ndeshjes së Championsit. Bardhezinjtë priten të luajnë nesër ndeshjen e parë të raundit të 1/16 në transfertën e Lyon, ku italiani e pranon se janë favorit. Ai gjithashtu ka folur dhe për shokët e ekipit dhe për trajnerin Sarri.

“Është e vërtetë që ne jemi favoritët, por ndeshjet fitohen në fushë. Një gol në fushën e Lyon do të na japë shumë besim për në ndeshjen e kthimit dhe po e përgatisim këtë takim me shumë kujdes. Championsi është special, tashmë vlen eksperienca. Duhet të jemi të kujdesshëm”, tregon mbrojtësi për “L’Equipe”.

“Kemi disa pengje nga finalet e humbura. Kundër Barcelonës menduam se fituam pas golit të Moratës, ndërsa kundër Realit e lëshuam lojën në pjesën e dytë sepse i nënvlerësuam. Këtë vit kemi dhe një problem tjetër, pasi nuk kemi konkurrencë vetëm në Europë, por dhe në Itali. Inter dhe Lazio po na e bëjnë më të vështirë”, deklaron Bonucci.

“Sarri? Që kur ka ardhur ai kam mësuar një mënyrë të re për ta parë futbollin. Për shembull, në mbrojtje ne luajmë me markime zonale. Është pak e komplikuar, por unë nuk kam frikë nga vështirësitë”.

“CR7 dhe De Ligt? Jemi me fat që e kemi Ronaldon në skuadër. Të gjithë mësojnë nga ai, është si një makineri lufte. Ndërsa De Ligt është i ri dhe i talentuar. Ai ka gjithë kohën e nevojshme për t’u bërë më i miri në botë”, mbyll Leonardo. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!