Derbi i Italisë prodhoi shumë tension dy ditë më parë. Juventusi e mbylli në barazim 0-0 sfidën dytë gjysmëfinale të Kupës së Italisë me Interin, dhe kaloi në finalen e madhe (përballë do të ketë Atalantën) pas suksesit 1-2 në “San Siro”.
Leonardo Bonucci pati një debat në një moment me Antonio Conten. Trajneri i Interit po protestonte për një penallti në rastin Lautaro-Bernardeschi, teksa mbrojtësi juventin iu drejtua me këto fjalë: Conte, respekto arbitrin, duhet ta respektosh atë.
Ky i fundit reagoi pas takimit, duke theksuar se priste më shumë respekt nga ana e bardhezinjve. “Nuk kam fjalë, thjesht duhet të ketë më shumë sportivitet dhe respekt për ata që punojnë. Te Juventusi duhet të thonë të vërtetën.
Arbitri i katërt dëgjoi gjithçka dhe e pa se çfarë ndodhi gjatë gjithë ndeshjes“, deklaroi Conte, i cili pati një përplasje edhe me Andrea Agnellin, presidentin e Juventusit. Debatet vazhdojnë dhe Bonucci, në një prononcim për Sky Sport, shpreh mendimin e tij.
“Pamjet flasin vetë për atë që ndodhi mes Contes dhe Agnellit, nuk kemi se çfarë të themi. Ajo që ndodhi ishte e shëmtuar, por nuk më takon mua ta gjykoj apo të shpjegoj se pse ndodhi. Imazhet aty i keni. Ne duhet të jemi gjithmonë shembulli pozitiv.
Shumë të rinj na ndjekin, por ka raste kur bëhet e vështirë në kushte të caktuara. Po luajmë pa tifozë dhe kjo ndikon në amplifikimin e disa rasteve, njësoj siç ndodhi mes Lukakut dhe Ibrahimovic. Mikrofonat tani regjistrojnë edhe teshtimën e lojtarëve“, deklaron Bonucci. /abcnews.al