Ish-presidenti i Brazilit Jair Bolsonaro tha se synon të mbetet aktiv në çështjet politike të vendit të tij, gjatë një pritjeje në Florida, në SHBA, ku ndodhet prej më shumë se një muaji.
“Unë jam 67 vjeç dhe synimi im është të mbetem aktiv në politikën braziliane,” u tha ai rreth 400 mbështetësve, të pranishmëve në një aktivitet të organizuar nga Yes Brazil USA, një organizatë e krahut të djathtë të diasporës braziliane.
Pas humbjes së raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale ndaj qendrës së majtë Luiz Inacio Lula da Silva në fund të tetorit, Bolsonaro, i cili u largua nga Brazili më 30 dhjetor, dy ditë përpara se kundërshtari i tij të betoheh, vazhdon të kundështojë rezultatin.
“Shumë njerëz janë ende të tronditur nga ajo që ndodhi në zgjedhje. Por ne do ta kalojmë këtë moment dhe, dashtë Zoti, do të fitojmë së bashku ”, tha ish-presidenti i ekstremit të djathtë, i cili e konsideron veten “më popullor se kurrë”.
Nëntë ditë pas largimit të tij, mijëra ndjekës të tij që demonstruan në kryeqytetin Brasilia sulmuan dhe shkaktuan dëme të shumta në pallatin presidencial, Kongresin dhe Gjykatën e Lartë.
“Më vjen keq që disa njerëz irracionalë bënë atë që bënë më 8 janar,” tha Bolsonaro.
/abcnews.al