“Boll i ka mbrojtur imuniteti, stop!”, Daci për çështjen Berisha: Politika duhet t’i bindet drejtësisë

schedule20:56 - 20 Dhjetor, 2023

schedule 20:56 - 20 Dhjetor, 2023

SHQIPËRI- Ish-kryeministri Sali Berisha mori një tjetër “shuplakë” të fortë jo në ndonjë garë me kundërshtarët politikë, por nga ana e Gjykatës Kushtetuese e Shqipërisë.

Në mbledhjen e kësaj të mërkure, me shumicë votash, Kushtetuesja vendosi të rrëzojë padinë e 30 deputetëve të Rithemelimit e grupit Bardhi, të cilët kërkonin pezullim e masave të sigurisë ndaj Sali Berishës dhe shpalljen antikushtetuese të tyre.

Juristi Jordan Daci, i ftuar në Real Story u shpreh se politikanët nuk kanë pse të mbrohen nga privilegji që u jep imuniteti, por duhet të shkojnë para drejtësisë dhe t’i përgjigjen asaj deri në fund.

“Imuniteti nuk duhet të mbroj askënd në këtë vend. Boll 30 vjet i mbrojti imunitetit, stop. Tani të shkojnë  të përgjigjen në gjykatë. Kjo çështje nuk është aq e thjeshtë sa po e bëjmë ne në studio, nga pikëpamje e trajtimit  kushtetues padyshim që ngre pikëpyetje, që trajtohen për herë të parë në Shqipëri. SPAK ka të gjithë të drejtën për të bërë taktikën. SPAK është palë, ka të drejtën të bëjë çdo gjë që mendon të bëjë për të fituar qëndrimin e vet, gabimin e bën gjykata”, tha ai.

Sipas tij, ka ardhur koha, që politika në Shqipëri duhet të mbyllë gojën kur flet drejtësia.

“Politika merr fund kur jep vendim gjykata. Prandaj jemi në këtë hall dite. Politika përfundimisht  mirë apo keq, duhet t’i bindet drejtësisë”, theksoi ai./ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!