​Bojkotoi takimin e Tiranës, kritikohet Kurti

schedule16:22 - 17 Korrik, 2023

schedule 16:22 - 17 Korrik, 2023

Vendimi i kryeministrit Albin Kurti për të mos shkuar në darkën joformale të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, në kuadër të përgatitjeve për Procesin e Berlinit është i dëmshëm për Kosovën, thonë analistët politikë. Sipas tyre, vetë përjashtimi i Kurtit nga ky takim mund të prolongojë zbatimin e marrëveshjeve të Procesit të Berlinit dhe rrugën integruese në Bashkimin Evropian. Po ashtu, ata potencojnë se hatërmbetjet ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama do të duhej të liheshin anash.

Sociologu dhe analisti politik, Artan Muhaxhiri thotë për KosovaPress se është e papranueshme dhe palogjikshme që problemet, të cilat ai i quan artificiale të Kurtit me Ramën të dramatizohen deri në atë nivel, saqë të projektohen në raportin e Kosovës me Bashkimin Evropian.

Ndërkaq, drejtoresha ekzekutive e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Arbresha Loxha, thotë për KosovaPress se pjesëmarrja e kryeministrit Kurti në takimin e sotëm në Tiranë ka qenë e domosdoshme për shkak të Procesit të Berlinit.

Ajo konsideron se dallimet ndërmjet dy kryeministrave shqiptarë do të duhej të liheshin anash, në mënyrë që Kosova dhe Shqipëria të jenë akterë dhe influencues të Procesit të Berlinit.

Takimi joformal i liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë ka filluar rreth orës 13:00 në Tiranë, ku po diskutohet për koordinimin dhe hartimin e kërkesave të përbashkëta të rajonit për t’i paraqitur në Samitin e Procesit të Berlinit, që do të mbahet po ashtu në Tiranë më 16 tetor.

Në këtë takim ka marrë pjesë edhe komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian Oliver Varhelyi.

Mospjesëmarrjen e kryeministrit Albin Kurti në këtë takim e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i cili ka thënë se Kurti e ka njoftuar kryeministrin Rama se nuk mund të shkojë në këtë takim, meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë.

Kurti dhe Rama kanë ftohur raportet mes vete pas anulimit të mbledhjes së dy qeverive më 14 qershor.

Kryeministri Kurti nuk e priti Ramën në takim as në fillim të muajit korrik, pikërisht kur ky i fundit ishte në Kosovë në kuadër të përgatitjeve për takimin e sotëm joformal për Procesin e Berlinit./KosovaPress/