Bojkoti s’ndalet, Lika: Boll më, u është hequr edhe ushqimi futbollistëve!

schedule09:33 - 22 Maj, 2020

schedule 09:33 - 22 Maj, 2020

Kapiteni i Vllaznisë, Gilman Lika, ka qenë zëri i futbollistëve të ekipit shkodran në media, duke qenë dhe lideri në bojkotimin e stërvitjes ditën e djeshme. Kapiteni i kuqebluve foli dhe për mediat, ku tregoi hapur problemet që kanë futbollistët me pagat që iu mungojnë që nga muaji janar.

“Muaji fundit që kemi marrë rrogën është muaji janar. Askush nuk është paguar, jabanxhinjve nuk u është siguruar as ushqimi dhe u janë prerë dritat. Kështu luhet futboll?! Paga e FSHF-së nuk del për të shtyrë një javë. Propozimi ynë është të paguhemi rregullisht deri në fund të majit, pastaj të vendosë klubi një pagë minimale.

Duhet të paguhet qiraja dhe ushqimi i futbollistëve, kjo është minimale. Është vendim i marrë nga të gjithë lojtarët, kemi disa ditë që e kemi diskutuar. Unë po flas në emër të gjithë grupit, do të vazhdojmë derisa të zgjidhet situata, nuk mund të vazhdohet më kështu.

Këta na thonë se është faji i Këshillit Bashkiak dhe ne nuk e dimë si qëndron puna. Ne do ta vazhdojmë bojkotin deri sa të zgjidhet gjithçka. Ne po kërkojmë dikë që të flasim dhe ta zgjidhim këtë, të krijohet një takim dhe të gjejmë zgjidhje. Me kryebashkiaken nuk kemi komunikuar.

Kjo mund të jetë një luftë politike, por nuk na intereson aspak, ne përfaqësojmë Vllazninë. Ne duam të marrim pagat, të paguhen qiratë për jabanxhinjtë dhe ushqimi.”/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!