Bojkoti i Superiores, presidentët e klubeve mblidhen sot për vendimin final

schedule08:08 - 19 Tetor, 2020

schedule 08:08 - 19 Tetor, 2020

Superiorja duhet të kishte nisur që muajin e shkuar, por klubet në gusht paralajmëruan se pa miratimin e katër kërkesave të tyre, kryesorja Ligji i Sponsorizimit, nuk do të zbrisnin në fushën e blertë.

Deri më tani kanë rezistuar, edhe pse ndonjë president klubi ka dalë kundër në publik. Vullneti i shumicës është zbatuar dhe ditën e sotme pritet që të zhvillohet mbledhja e radhës e Ligës Profesioniste të Futbollit.

Presidenti Edvin Libohova do të raportojë para presidentëve atë që ndodhi në takimin e fundit që pati në Ministrinë e Financave dhe më pas ata do të marrin një vendim nëse kampionati do të nisë këtë fundjavë, apo nëse bojkoti vijon.

Nesër në program është edhe një takim tjetër mes Ligës dhe Ministrisë së Financave dhe pritet që kjo e fundit të bëjë një propozim të sajin për Ligjin e Sponsorizimit.

Liga e ka bërë propozimin e saj prej më shumë se dy javësh dhe tani mbetet të shihet se çfarë do të ndryshojë. Ndoshta brenda kësaj jave presidentët e Superiores mund të zhvillojnë edhe një tjetër takim, për të diskutuar propozimin e Ministrisë së Financave. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!