Bojë të kuqe në shkallët e Piazza di Spagna, aktivistët në Romë thirrje kundër dhunës ndaj grave

schedule15:16 - 26 Qershor, 2024

schedule 15:16 - 26 Qershor, 2024

Disa aktivistë kundër dhunës ndaj grave, hodhën bojë të kuqe në shkallët e Trinita dei Monti në Piazza di Spagna, Romë, gjatë paradites së sotme. Menjëherë, ndërhynë ekipet speciale për të pastruar bojën nga shkallët e sheshit turistik, që mirëpret çdo ditë me mijëra vizitorë nga e gjithë bota.

“Dyzet gra u vranë pas Giulia Cecchettin”, tha Anna, një nga aktivistet e “Të djegim gjithçka”, përgjegjëse për ndotjen. “Ky është gjaku i tyre: një masakër që shoqëria refuzon ta shohë, e cila mbetet gjithmonë e fshehur dhe e pranuar, sikur të ishte normale të vdisje nga dora e burrit, partnerit, djalit.”

“Ne jemi këtu për të bërtitur dhimbjen tonë dhe për ta bërë problemin të dukshëm. Qeveria jonë nuk vepron përballë këtyre tragjedive”, u shpreh një aktiviste tjetër.

Sipas tyre, qeveria e Giorgia Melonit shkurton fondet për qendrat kundër dhunës me 70%, nuk kujdeset për të drejtat e njerëzve queer, të drejtat e emigrantëve. “Qeveria jonë përjashton shumë kategori njerëzish nga shtëpitë e strehimit, me probleme të varësisë nga droga dhe çrregullime psikiatrike. Nuk mund ta pranojmë më këtë situatë të rëndë”.

Në vendngjarje ndodheshin edhe efektivët e Policisë së Shtetit. Stafi që u përkujdes për pastrimin e shkallëve, përdori mjete të posaçme me një rrymë uji të nxehtë, për të shmangur dëmtimin e trashëgimisë historike.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!