Bogdani: Kumbulla si veteran, investoni tek ai! Rashica e Lakti për Serie A

schedule10:11 - 3 Prill, 2020

schedule 10:11 - 3 Prill, 2020

Erjon Bogdanit i kanë mbaruar golat dhe tani mendon të trajnojë ndonjë skuadër, pas eksperiencës në krye të Shqipërisë U19. Para disa ditësh, në “ABC News” ai u shpreh se ka qenë në bisedime me disa klube dhe tani duhet të presë verën. Deri atëherë, Bogun do ta shohim në rolin e specialistit të futbollit dhe së fundmi ka folur në Itali për Marash Kumbullën dhe jo vetëm. Ish-sulmuesi i kombëtares analizon mbrojtësin e Hellas Verona, që e duan shumë klube të mëdha. Të paktën sikurse raportohet në media.

“Kumbulla ka debutuar me kombëtaren e moshave kur isha unë, edhe pse ishte më i vogël. Bëhet fjalë për një lojtar që i ka djegur të gjitha fazat. Po luan shumë mirë, edhe pse nuk ka luajtur kurrë në Serie B. Po sillet sikur të ishte veteran. I parashikon shumë mirë lëvizjet e kundërshtarëve, është i mirë me kokë dhe madhe ka provuar edhe të shënojë. Po bëhet një lojtar i rëndësishëm për Hellas Verona”, shprehet Bogdani.

 

I pyetur nëse Kumbulla mund të rritet dhe a është ai një investim i mirë, ish-sulmuesi i kombëtares shqiptare shton: “Padyshim që Kumbulla është një lojtar që mund të synojë për më lart. Ka markuar sulmues të fortë dhe po paraqitet shumë mirë. Marashi ka qenë një shtyllë e skuadrës së tij, që i ka mahnitur të gjithë. Ai është një investim i mirë, po unë nuk mund të jap një shifër. Nëse shumë klube interesohen për të, kjo tregon cilësitë e tij”.

Po pikat e forta Marashit, cila janë? Bogdani mendon kështu: “Kumbulla mund të duket i ngadaltë, por i lexon aksionet shumë mirë dhe i parashikon edhe lojtarët më të shpejtë. Ka mendjen e një veterani, lexon mirë lojën dhe mbërrin gjithmonë para të tjerëve. Kur dikush është i ri dhe luan kështu, sigurisht që ka shumë mundësi që të përmirësohet edhe më shumë. Mund të punojë më shumë në aspektin teknik, por është një lojtar i fortë me këmbë dhe me kokë”.

 

“Shqiptarë për Serie A? Kumbulla ka qenë te Verona për shumë kohë dhe e ka shfrytëzuar ndryshimin e trajnerëve. Ai i tregoi Juric se është lojtar për Serie A. Rrahmani ka qenë me Shqipërinë, por më pas zgjodhi Kosovën. Po tregon se është lojtar i shkëlqyer për këtë kampionat. Një emër tjetër është Milot Rashica. Luan si sulmues krahu, majtas dhe djathtas. Ai po paraqitet shumë mirë në Gjermani. Po flasim për djem të rinj dhe duhet kujdes me ta, pasi mund të gabojnë dhe nuk duhen djegur. Kur dikush e meriton, duhet ndihmuar.

Në fund Bogdanit i përmendet një emër i moshave të Shqipërisë, mesfushori Erald Lakti, i cili po luan rregullisht në Serie C me skuadrën e Gubbio. “E mbaj mend Laktin, nuk e di në çfarë gjendje është tani. Edhe ai ka shanse të mira për të luajtur në Serie A. Ka qenë pjesë e moshave te Fiorentina dhe me të rinjtë mbajti edhe shiritin e kapitenit. Nuk mund të them kur, por është një lojtar që mund të rritet dhe të luajë në Serie A. Mbulon çdo rol në mesfushë. Nuk e di çfarë planesh ka Fiorentina, por një ditë ai mund të luajë në elitën e futbollit italian”, përfundon Bogdani intervistën e tij për “Fiorentina News”. /abcnews.al

 

Hans Nicolussi Caviglia dhe Erald Lakti (Foto: Daniele Badolato/Getty Images)

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!