Kompania Boeing pranoi të shtunën se ka korrigjuar disa probleme të programit të simulimit që përdoret për trajnimin e pilotëve të avionëve 737 MAX. Deklarata vjen pas rrëzimit të avionëve të këtij tipi, duke shkaktuar vdekjen e 346 personave.
“Boeing ka bërë korrigjime dhe ka ofruar informacion shtesë për operatorët e pajisjes, për t’u siguruar që përvoja e simulatorit të jetë e përshtatshme në kushte të ndryshme fluturimi“, thuhet në deklaratën e kompanisë.
Deklarata shënon herën e parë që Boeing-u pranon se kishte një defekt në sistemin kompiuterik të operimit të avionëve 737 MAX.
Sipas kompanisë, programi i simulimit të fluturimit nuk mund të riprodhonte kushte të caktuara fluturimi, të ngjashme me situatën e rrëzimit të avionit të kompanisë “Ethiopian Airlines” në muajin mars apo rrëzimit në Indonezi të avionit të kompanisë “Lion Air” në muajin tetor.
Në të gjithë botën avionët Boing 737 MAX janë hequr nga qarkullimi në pritje që Shtetet e Bashkuara dhe rregullatorët ndërkombëtarë të japin lejen për rikthimin e tyre në shërbim./VOA