Në kohën kur ekipet e ekspertëve për vlerësimin e dëmeve të tërmetit janë në terren, deputeti socialist Sadri Abazi ka vendosur të restaurojë personalisht hotelin në pronësi të tij pranë pistës “Iliria” në Durrës.
Ndërkohë ish-deputeti demokrat Luçiano Boçi denoncoi rastin duke i vënë në dukje Prokurorisë dhe kryeministrit se Abazi po prish provat që organi i akuzës duhet të mblidhte në terren për cilësinë e punimeve të tij.
Ish-deputeti demokrat Luçiano Boçi denoncoi rastin e hotel “Horizont” që sipas tij është përgjegjës për ndërtimet abuzive në bregdet.
Mëngjesi i të mërkurës i gjeti herët në punë këta punëtorë që po riparojnë dëmet në hotelin e deputetit socialist, i cili sipas Boçit po prish provat që Prokuroria duhet të konstatonte në tërren.
Aksionin e nisur nga kryeministri Rama për verifikim të lejeve ndërtimore, demokratët e shohin të destinuar të dështojë duke kujtuar se në pranga duhet të shkojë i pari ish-kryebashkiaku Dako.
Teksa në hotelin e tij vijonte puna për restaurimin e dëmeve, deputeti socialist Abazi ka vijuar për të konstatuar objekte që pësuan dëme nga tërmeti i 26 nëntorit në qytetin e Durrësit./abcnews.al