Jerome Boateng, mbrojtësi i Bayern Munich, është një prej lojtarëve me origjinë nga Afrika që luan në Gjermani dhe ka veshur edhe fanellën e këtij vendi, duke u shpallu Kampion Bote në vitin 2014. Babai i tij është nga Gana, kurse nëna gjermane.
I vogël edhe ai ka pasur momente kur është përballur me racizëm dhe këto kohë kjo është një temë që po diskutohet anembanë botës, ndërkohë që në SHBA po zhvillohen protesta të dhunshme. “Imazhet e publikuara më kanë shokuar. Disa gjera në rrjetet sociale janë brutale. Për fat të keq protestat po marrin një formë tjetër.
Rasti i George Floyd tregon se sa shumë është i përhapur racizmi ndaj njerëzve me ngjyrë në SHBA. Më shqetëson kjo gjë, pasi shpesh shkoj atje dhe më pëlqen shumë vendi dhe kultura. E gjitha kjo që ndodh nuk është diçka e re. Racizëm ka kudo, por në SHBA është ekstrem.

Kam lexuar një shprehje së fundmi: ‘Duke sikur racizmi është një dhomë e errët dhe sapo dikush ndez dritën, gjithçka zbulohet’. Nuk mund ta shpjegoj këtë që ndodh kur mendoj se sa shumë kanë bërë afro-amerikanët për imazhin dhe kulturën e SHBA-ve. Obama ishte president, ndërkohë që ka shumë personalitete në sport, muzikë dhe modë”, thotë fillimisht Boateng.
Po në Gjermani si është situata me racizmin? Mbrojtësi, në intervistën për “DW”, shton: “Edhe në Gjermani ka racizëm. Vitet e fundit kemi parë sulme ndaj të huajve ose ndaj grupeve fetare të caktuara. Gjërat po marrin një drejtim të caktuar ku mendoj se kemi qenë më parë. Kur isha fëmijë, në Berlin, kam pasur eksperiencat e mia me racizmin. Gjithashtu mbaj mend edhe kohën në futboll, ku nuk kishte rëndësi besimi apo nga ishe.
Nuk kemi folur kurrë për këtë pjesë, por vetëm si të ishim të bashkuar. Do të doja që në të ardhmen të bëja diçka në luftën kundër racizmit. Nuk mjafton që zërat tonë të dëgjohen vetëm përmes rrjeteve sociale. Gjermania në krahasim me shumë vende të tjera është i hapur, edhe pse afro-gjermanët nuk janë të përfaqësuar në zona të caktuara”.

Figurat publike kanë një rol të rëndësishëm në luftën kundër këtij fenonemi negativ në shoqëri. Boateng jep mendimin e tij: “Tani ka shumë demonstrata dhe në to marrin pjesë edhe shumë njerëz të bardhë. Dhe diçka tjetër, jo çdo sportist i bardhë që nuk flet është racist. Sigurisht do ishte diçka e dëshirueshme që ata ta përdorin famën e tyre në mbështetje të kësaj kauze. Shumë e bëjnë, por ka ende hapësira për ta bërë edhe më mirë”.
Boateng, në fund thekson se shkolla dhe familja ka rolin kryesor: “Gjithçka fillon tek edukimi i fëmijëve. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Asnjë fëmijë në botë nuk lind racist. Varet nga prindërit dhe ajo që u tregojnë fëmijëve të tyre. Gjëja më e keqe që mund të ndodhë është që fëmijët e mi ta përjetojnë diçka të tillë.
Është jetësore t’u mësojmë atyre se racizmi është i papranueshme dhe nëse shohin që abuzohet me dikë, duhet ta mbrojnë dhe ta flasin. Kjo duhet të nisë në shkollë, duhet të jetë pjesë e programeve mësimore. Vetëm kështu mund të përparojmë”. /abcnews.al

