Ish-mesfushori i Milanit, Kevin Prince Boateng, beson se kuqezinjtë mund ta fitojnë kampionatin këtë sezon. 33-vjeçari që tashmë i është bashkuar Monzës, bën një krahasim mes këtij Milani dhe atij që fitoi për herë të fundit kampionatin gjatë një intervistë për “Repubblica”. Boateng flet edhe për ekipin e tij aktual dhe si iu bashkua sërish dyshes Berlusconi-Galliani.
“Kur e fituam ne kampionatin atëherë kishim shumë kampionë në ekip. Ibra, Robinho, Seedorf, Pirlo, Gattuso, Thiago Silva dhe të tjerë. Edhe kur ne nuk luanim ndeshjen tonë më të mirë, njëri prej tyre do ta fitonte atë. Kundërshtarët na kishin frikë”, kujton ganezi.
“Në ekipin e sotshëm shoh diçka që kisha shumë kohë pa e parë. Të gjithë po ndihmojnë njëri-tjetrin dhe kundërshtarët ia kanë frikën. Nëse shikoni se si feston Zlatani nga tribuna do të kuptoni se shpirti i këtij ekipi është atje.
Ata me të vërtetë që mund ta fitojnë Scudetton. Milan po luan futboll të mirë dhe me lojtarë që nuk janë edhe aq të njohur. Për shembull, unë nuk e njihja Saelemaekers, por ai bëri një ndeshje perfekte kundër Fiorentinës.
Pioli ka krijuar një grup të mirë dhe po i merr maksimumin lojtarëve që ka. Situata do të ishte edhe më e mirë nëse tifozët do të lejoheshin në stadium, edhe pse nuk është aspak e lehtë të luash në “San Siro”.
Monza? Nuk kisha asnjë dyshim për të ardhur këtu. Ishte Berlusconi dhe Galliani që besuan dhjetë vite më parë nga unë dhe të shkosh me Monzën në Serie A është si të fitosh titullin me Milanin”, përfundon Boateng. /abcnews.al