Bloomberg: Marrëveshje Prishtinës-Beogradit, kusht kryesor drejt BE-së

schedule15:59 - 23 Shtator, 2018

schedule 15:59 - 23 Shtator, 2018

Media prestigjoze amerikane “Bloomberg” ka publikuar një artikull lidhur me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas saj, një marrëveshja mes dy vendeve është kusht kryesor për rrugëtimin e tyre drejt anëtarësimit në BE.

“Gati dy dekata pas përfundimit të luftës së fundit në Ballkan, tani është një shans që termi ‘Ballkanizim’ të jetë diçka e së kaluarës. Megjithatë ekzistojnë ende disa konflikte të hapura të cilat duhet të zgjidhen”. Kështu e nis artikullin e saj, media amerikane “Bloomberg”, e cila i referohet dialogut në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit. Sipas saj, duhet edhe shumë durim që të pritet një marrëveshje produktive mes dy vendeve. Bashkimi Evropian cilësohet si makineria më efikase e paqes, me tendencën e heqjes së kufijve dhe qetësimit të situatave pa përdorur forcë, e megjithatë vetëm dy vende të ish-Jugosllavisë deri më tani kanë hyrë në gjirin e saj, shkruan më tej kjo media.

Gjithashtu rikujton se negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit filluan që në vitin 2011, dhe deri më tani kanë pasur një ritëm “tmerrësisht të ngadalshëm”. Megjithatë, thuhet në artikull, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, si dhe arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme, është kushti kryesor për Kosovën dhe Serbinë që të shënojnë progres. “Bloomberg” po ashtu citon edhe deklaratat e presidentit serb, Aleksander Vuçiç, në Kosovë për Millosheviçin, si personazh kundër të cilit luftoi Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e pjesë e së cilës ishte edhe presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi.

Në fund të këtij artikulli, shkruhet se Mogherini e cila është në përfundim të mandatit, dëshiron të largohet nga pozita e saj si triumfuese në çështjet me të cilat është marrë, ndër to përfshihet edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!