Blloku i banimit në Njësinë 2 në Tiranë ndryshon pamje

schedule13:48 - 14 Korrik, 2019

schedule 13:48 - 14 Korrik, 2019

Rehabilitimi i bllokut të banimit në Njësinë Administrative numër 2 në Tiranë ka përfunduar. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj pasi inspektoi punimet i kërkoi qytetarëve të aplikojnë për fondin e komuniteteve dhe të  ndryshojnë fasadat e pallateve.

Ky bllok banimi qe kufizohet nga “Rruga Elbasanit”,“Stavri Vinjau”,“Pjetër Budi” dhe “Ali Visha” në Njësinë numër 2 në Tiranë ka përfunduar së rikonstruktuari. Kryetari i bashkisë Erion Veliaj inspektoi punimet e kryera.

“Ishte një nga zonat e cila konsiderohej pjesa më e rëndomtë e Njësisë 2, sot ka një vlerë krejt tjetër, në momentin që ndriçimi është LED, janë mbjellë pemë, ka vende parkimi, ka rampa për karrocat dhe është ndërhyrë në infrastrukturën nëntokësore”.

Me përfundimin e punimeve në infrastrukturë kryebashkiaku ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për të reabilituar fasadat e pallateve.

“Tani që kemi zgjidhur çdo gjë në nivelin horizontal, duhet të mendojmë për nivelin vertikal. Aty na duhet bashkëpunim me qytetarët, që për veshjen me kapotë, për efiçiencën energjetike, na duhet që t’i ndajmë shpenzimet. Skema është shumë më e thjeshtë: zgjidhet fillimisht administratori i pallatit, i cili i autorizuar nga banorët jep kontributin e tyre, kurse Bashkia nga ana e saj e dyfishon atë kontribut”.

Duke përfituar nga koha e favorshme që ofron stina Veliaj u shpreh se  ndërmarrjet e Bashkisë së Tiranës do të vijojnë me intensitet punët publike, në mënyrë që qyteti të jetë gati të presë qytetarët kur kthehen nga pushimet. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!