Bllokohet mjeti i blinduar i biznesmenit Dashamir Gjoka

schedule19:59 - 7 Shkurt, 2020

schedule 19:59 - 7 Shkurt, 2020

Bllokohet mjeti i blinduar i Dashamir Gjokës.

Dy ditë më parë, në ditën e tretë të punës në terren, Operacioni “Forca e Ligjit”, OFL i dërgoi biznesmenit nga Shijaku formularin e deklarimit të pasurisë, ku duhet të faktojë para drejtësisë së re, prokurorisë dhe gjykatës speciale, SPAK dhe GJKKO se pasuritë e tij janë me burime të ligjshme dhe të ardhura të justifikuara.

Nuk dihet ende nëse bllokimi i mjetit të tij ka të bëjë me pasuritë e paligjshme, sipas policisë, që ai disponon.

Pak kohë më parë, kjo makinë e mbrojti biznesmenin nga një atentat. Në momentin e atentatit ai ndodhej së bashku me fëmijët e tij në makinë.

Në njoftimin e policisë në vitin 2017 thuhej se në vendin e quajtur “4 Rrugët-Shijak” në afërsi të Xhafzotajt ishte qëlluar me armë në drejtim të makinës së Dashamir Gjokës.

Siç raporton gazetari i ABC News Leonidha Musaj, biznesmeni i njohur, i ka shpëtuar ligjit anti-mafia dhe mundi të rimarrë pas pasuritë e konfiskuara nga Gjykata për Krime të Rënda në vitin 2017.

Dashamir Gjoka, me banim në Durrës, rezulton i dënuar në Itali për veprën penale “Trafik i qenieve njerëzore”.

Ai u arrestua në vitin 2013 pas një kërkesë të palës italiane për ekstradimin e tij pas procesit atje për trafikim të qenieve njerëzore, por kjo kërkesë nuk u ekzekutua asnjëherë pasi gjyqësori shqiptar në të tre shkallët e tij refuzoi ekstradimin e tij.

Njoftimi i policisë në 2017:

“Më datë 23.08.2017, rreth orës 14:05, në vendin e quajtur “4 Rrugët- Shijak” , në afërsi të Komunës Xhafzotaj është marrë njoftim se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit tip Benz , me drejtues shtetasin D.GJ. Nuk ka persona të lënduar. Menjëherë është ngritur grupi hetimor, të cilët po punojnë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit“./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!