Bllokohen hyrjet e mjeteve për në Tiranë, te “Shqiponja” trafiku drejtohet në rrugë alternative

schedule18:02 - 26 Tetor, 2020

schedule 18:02 - 26 Tetor, 2020

Nga Maksi Rama

Prej kësaj të hëne hyrje-daljet në kryeqytet do jenë disi më të vështira për shkak të punimeve që do kryhen tek ish-Sheshi Shqiponja, ku në orët e para të mëngjesit nuk mungoi trafiku

Por si do jetë devijimi I trafikut për ata që përdorin superstradën Durrës-Tiranë?

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka vënë në funksion rrugën “Abedin Rexha”që njihet ndryshe si ish-Fusha e Aviacionit e cila do të shndërrohet me një sens kalimi për të përballuar fluksin e lartë të automjeteve që vijnë nga Durrësi.

Më pas kalimi do të bëhet përmes rrugës “Dritan Hoxha” në zonën e Laprakës.

Po ashtu për ata që vijnë nga veriu i vendit dhe i drejtohen Tiranës është vënë në dispozicion rruga nga Instituti Bujqësor drejt Paskuqanit ose drejt rrugës së Shinave të Trenit për të arritur në rrugën “Vangjel Noti” dhe më pas në rrugën “Gjergj Legisi” e cila është një sens kalimi për të përballuar mjetet që do shkojnë drejt “Don Bosko”.

Ndërkohë për të shmangur grumbullimin e automjeteve tek ish-sheshi Shqiponja rekomandohet rruga e Ndroqit.

Policia e Shtetit dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar rekomandon për të gjithë ata që nisen nga Durrësi dhe Kavaja për t’ju drejtuar Tiranës, të përdorin rrugën e Ndroqit si mundësi për të mbërritur në kryeqytet.

Për daljen nga Tirana në drejtim të Durrësit apo zonave veriore, devijimi i trafikut për përdoruesit bëhet nga rruga “Dritan Hoxha” e më pas nga Shinat e Trenit ose duke përshkruar një gjysmë rreth gati i njëjtë siç ishte me ish-sheshin Shqiponja.

ARRSH për qytetarët që vijnë nga jugu rekomandon përdorimin e rrugës nga Rrogozhina drejt Peqinit për t’u futur më pas në Tiranë përmes rrugës së Elbasanit.

Gjatë periudhës së punimeve është menduar dhe për një korsi emergjence, kryesisht për autoambulancat dhe shërbimin zjarrfikës.

Ky plan menaxhimi i trafikut do të zgjasë nga tre deri në katër muaj, që përkon dhe me afatin e punimeve tek ish-sheshi Shqiponja, për Unazën e Madhe të Tiranës.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!