Bllokimi i sistemit pas sulmit kibernetik, qytetarët në udhëkryq për gjobat

schedule15:54 - 14 Shtator, 2022

schedule 15:54 - 14 Shtator, 2022

Nga Xhensila Kodra 

Mosfunksionimi i sistemit të brendshëm të Policisë së Shtetit, ka shkaktuar një dëm dhe në punën e Policisë Rrugore, e për pasojë kjo rëndon te qytetarët.

Me bllokimin e sistemit, nuk mund të paguhen gjobat për shkeljet e marra. Ata nuk kanë marrë informacione se si do të procedohet me pagesën e gjobës, nëse do të kryhet me kamatvonesë ose jo.

Për këtë arsye, drejtoria e përgjithshme e Policisë Rrugore me anë të një letre drejtuar drejtorit Muhamet Rrumbullakut, i kërkon informacion se si do të procedohet me këtë kategori qytetarësh, nëse do të paguhet kamatvonesë ose jo.

Me bllokimin e sistemit, policia rrugore nuk ka mundësi të verifikojë mjetet që lëvizin me targa të huaja, ndaj procedon me bllokimin e tyre.

Ndërsa gjatë ditëve të fundit, gjobat për parkime të gabuara nuk janë vendosur për shkak se efektivët e kanë të pamundur të verifikojnë targën e mjetit.

Prej disa ditësh, hakerat e financuar nga Irani sulmuan sistemin TIMS në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Ndërsa në Tiranë ndodhen dy ekspertë amerikanë për krimet kibernetike për të vënë në funksion sistemet e brendshme të Policisë së Shtetit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!