Rruga e Arbrit u hap këtë të hënë për qarkullimin e mjeteve, mirëpo reshjet e borës gjatë orëve të mbrëmjes kanë sjellë bllokimin e qarkullimit.
Policia ka reaguar duke thënë se situata në bypass-in e rrugës së Arbrit dhe në Qafë Murrizë është vështirësuar por pas ndërhyrjes së borëpastrueseve qarkullimi i makinave vijon, por me ngadalë. Duke parë situatën policia ka vendosur të mos lejojë kalimin e makinave në drejtim të bypass-it në rrugën e Arbrit dhe në Qafë Murrizë, as në gjitha ato akse rrugore në të cilat ka prezencë të dëborës, pa vendosur zinxhirët dhe gomat dimërore.
“ Në disa akse rrugore, kryesisht në bypass-in e rrugës së Arbrit dhe në Qafë Murrizë është vështirësuar qarkullimi i automjeteve, si pasojë e reshjeve të dëborës dhe e mospërdorimit të zinxhirëve nga drejtuesit e automjeteve. Shërbimet e Policisë Rrugore kanë marrë masa, në bashkëpunim me firmën që ndërton rrugën, dhe pas ndërhyrjes së borëpastrueseve qarkullimi i automjeteve vijon, por me ngadalë. Nisur nga situata e krijuar, shërbimet e Policisë Rrugore dhe ato të Patrullave të Përgjithshme nuk do të lejojnë kalimin e automjeteve në drejtim të bypass-it në rrugën e Arbrit dhe në Qafë Murrizë, as në gjitha ato akse rrugore në të cilat ka prezencë të dëborës, pa vendosur zinxhirët dhe gomat dimërore. Me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, si dhe për t’u ardhur në ndihmë përdoruesve të rrugës, në rast nevoje, për shkak të motit të keq, Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash emergjente, duke rritur prezencën e shërbimeve me uniformë, në të gjitha rrugët e vendit“, thotë policia.
Lexo edhe: Kaos nga bllokimi, dëbora i “kapi gafil” shoferët në Rrugën e Arbrit
Rruga e Arbrit kalon në 6 tunele, pesë prej të cilave kanë përfunduar, si dhe dy ura, ajo e Vashës dhe e fshatit Fshat, që është edhe më e larta në Ballkan. Aktualisht rruga e Arbrit nuk është përfunduar plotësisht, megjithatë me përfundimin e punimeve, ky aks rrugor do të përshkruhet për vetëm 47 minuta, nga 1 orë e 20 minuta që bëhet sot dhe nga 4 orë që bëhej vite më parë. Për shkak të motit të keq me reshje shiu dhe dëbore, në të gjitha rrugët e vendit është krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve, si dhe rrezik përmbytjesh. be.k/abcnews.al