“Bllokimi i grurit ukrainas”, Truss paralajmëron për pasoja: Të zgjidhet brenda muajit të ardhshëm

schedule10:41 - 23 Qershor, 2022

schedule 10:41 - 23 Qershor, 2022

Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss, ka paralajmëruar se kriza e grurit në Ukrainë duhet të zgjidhet nga liderët globalë brenda muajit të ardhshëm, në të kundërt bota do të përballet me pasoja shkatërruese, sipas The Guardian.

Gjatë një vizite në Ankara, Truss tha se kishte biseduar me ministrin e jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu për bashkëpunimin midis dy vendeve për të siguruar nxjerrjen e grurit nga Ukraina.

“Kjo krizë e grurit është urgjente dhe duhet të zgjidhet brenda muajit të ardhshëm, përndryshe mund të përballemi me pasoja shkatërruese”, tha ajo gjatë një konference për shtyp.

Çavuşoğlu tha se Turqia po i merr seriozisht pretendimet se gruri ukrainas ishte vjedhur nga Rusia dhe po i heton ato akuza. Ai tha se Turqia nuk do të lejojë që gruri i vjedhur nga Rusia apo ndonjë vend tjetër të eksportohet në Turqi.

Truss gjithashtu akuzoi Putinin se po përdor sigurinë ushqimore si një mjet luftarak. Ai ka bllokuar portet e Ukrainës dhe po ndalon 20 milionë tonë drithë që eksportohen në të gjithë globin, tha ajo.

/abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!