Bllokimi i buxhetit në SHBA, Biden kritikon republikanët ekstremistë

schedule13:24 - 24 Shtator, 2023

schedule 13:24 - 24 Shtator, 2023

Presidenti Joe Biden fajësoi një grup të vogël republikanësh ekstremë për bllokimin buxhetor, teksa i ka kërkuar ligjvënësve të partisë të marrin hapa të menjëhershëm për të parandaluar një mbyllje të qeverisë përpara afatit të 30 shtatorit.

“Të jemi të qartë. Nëse qeveria mbyllet, kjo do të thotë që anëtarët e Kongresit dhe ushtrisë amerikane duhet të vazhdojnë të punojnë dhe të mos paguhen. Mbyllja e qeverisë mund të ndikojë në gjithçka, nga siguria ushqimore, kërkimi i kancerit, programi për fëmijët. Financimi i qeverisë është një nga përgjegjësitë më themelore të Kongresit”, tha Biden.

Ligjvënësit amerikanë kanë afat deri në mesnatën e 30 shtatorit për të arritur një marrëveshje mbi projekt-ligjin shpenzimeve, përpara se financimi për shërbimet qeveritare të përfundojë.

Nëse gjërat nuk shkojnë siç duhet e gjithë situata do të jetë kosto e konsiderueshme politike për Bidenin, i cili kandidon për të marrë sërish drejtimin e Shtëpisë së Bardhë.

Shtëpia e Bardhë dëshiron që çdo projekt-ligj buxhetor i miratuar nga ligjvënësit të përfshijë 24 miliardë dollarë ndihmë ushtarake dhe humanitare për Kievin.

Ndërsa një plan i tillë mbështetet nga demokratët dhe republikanët në Senat, ai kundërshtohet rrënjësisht nga disa anëtarë të Dhomës.

Votimi i buxhetit në Kongres kthehet rregullisht në një përplasje midis dy partive, ku secili kamp përdor mundësinë e një mbylljeje për të marrë lëshime nga tjetri, derisa të gjendet një zgjidhje.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!