Bllokada federale, Trump nuk “lëshon pe”

schedule20:08 - 25 Dhjetor, 2018

schedule 20:08 - 25 Dhjetor, 2018

Presidenti Donald Trump nuk ka ndërmend të bëjë lëshime për zgjidhjen e bllokadës federale. Duke reaguar në lidhje me ngërçin politik që ka paralizuar 1 të katërtën e shërbimeve qeveritare në Shtetet e Bashkuara, Trump ka paralajmëruar se bllokada do të zgjasë derisa të financohet muri me Meksikën.

Presidenti Donald Trump deklaroi të martën se bllokada federale që ka përfshirë Shtetet e Bashkuara do të zgjasë deri në plotësimin e kërkesës së tij për financimin e murit me Meksikën. Paraliza qeveritare nisi ditën e diel dhe ende nuk ka sinjale për një rifillim të aktivitetit në institucionet shtetërore, që kanë rënë pre e përplasjes politike mes demokratëve dhe republikanëve.

“Kur do të rihapen zyrat qeveritare? Jua them unë, ato nuk do të hapen derisa ne të kemi financimin për murin, gardhin, apo sido që ata dëshirojnë ta quajnë”, tha Trump, duke iu referuar demokratëve.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë nënvizoi se barriera synon të pengojë njerëzit që sipas tij vërshojnë drejt Shteteve të Bashkuara nga vende që kultivojnë drogë.

“Nëse muri nuk do të jetë, atëherë nuk do të ketë riaktivizim të institucioneve”, shtoi Trump.

Procesi i financimit të një të katërtës së shërbimeve federale, përfshirë këtu departamentet e Sigurisë së Brendshme, Drejtësisë dhe Agrikulturës, skadoi mesnatën e së premtes së kaluar dhe pa një marrëveshje për të tejkaluar ngërçin politik bllokada ka gjasa të shtrihet edhe përtej natës së ndërrimit të viteve.

Ngritja e murit në kufi me Meksikën ishte një nga premtimet më të përsëritura të Trump gjatë fushatës elektorale të vitit 2016, por demokratët, të cilët pas zgjedhjeve të mesmandatit morën kontrollin e Kongresit, vazhdimisht e kanë kundërshtuar atë si projekt dhe kanë refuzuar të votojnë financimin e tij./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!