Presidenti Donald Trump ka kërcënuar se do të mbyllë kufirin me Meksikën nëse Kongresi dështon në lëvrimin e fondit për ndërtimin e murit.
“Ose ndërtojmë murin, ose mbyllim kufirin”, deklaroi Trump, kur ka kaluar rreth 1 javë nga nisja e bllokadës së shërbimeve federale.
Duke konfirmuar se kërcënimet sa i takon kufirit janë reale, Shtëpia e Bardhë bëri me dije se negociatat në Kongres vazhdojnë të jenë të bllokuara. Përfaqësues të Senatit dhe dhomës së ulët të Kongresit amerikan u takuan të enjten për pak minuta në përpjekje për t’i dhënë fund ngërçit, por pa rezultat. Palët pritet të takohen sërish ditën e hënë.
Përplasja për financimin e murit me Meksikën ka bërë që qindra mijëra punonjës federalë të lënë punën pa u paguar, ose ta vazhdojnë atë pa asnjë garanci se do të marrin pagat./abcnews.al