Blinken: SHBA duhet të udhëheqë revolucionin e energjisë së ripërtëritshme

schedule18:04 - 20 Prill, 2021

schedule 18:04 - 20 Prill, 2021

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha dje gjatë një konference se Shtetet e Bashkuara po mbeten pas Kinës në revolucionin e energjisë së ripërtëritshme. Zoti Blinken i bëri komentet ndërsa Shtëpia e Bardhë organizon Samitin për Klimën me udhëheqësit botërorë, të enjten dhe të premten e kësaj jave. Presidenti Joe Biden pritet të paraqesë synimin e tij jo-obligues por simbolik për uljen e emetimeve të gazit, duke ritheksuar rëndësinë e kësaj çështjeje në administratën e tij.

Dy ditë para Samitit për Klimën me udhëheqësit botërorë, Shtetet e Bashkuara ripohojnë se lufta kundër ndryshimeve klimatike është prioriteti kryesor i politikës së jashtme, ndërsa shpresojnë të prijnë revolucionin e energjisë së ripërtëritshme.

Ditën e hënë, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken paralajmëroi se Shtetetet e Bashkaura ndodhen prapa Kinës në zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme.

“Është e vështirë të mendohet se Shtetet e Bashkuara mund të fitojnë garën strategjike afatgjate me Kinën nëse nuk udhëheqim revolucionin e energjisë së ripërtëritshme. Tani për tani jemi prapa, Kina është prodhuesi dhe eksportuesi më i madh i paneleve diellore, turbinave me erë, baterive dhe makinave elektrike. Mban gati një të tretën e patentave në botë për energjinë e ripërtëritshme. Nëse nuk e arrijmë, Amerika humbet shansin për të formësuar të ardhmen e klimës në botë, në një mënënyrë që të pasqyrojë interesat dhe vlerat tona. Ne do të humbasim shumë vende pune për popullin amerikan”, tha zoti Blinken.

Fjalimi i Sekretarit Blinken në Fondacionin Chesapeake Bay në Anapolis të Merilendit, vjen vetëm dy ditë para tubimit të udhëheqësve botërorë për të diskutuar mbi bashkëpunimin kundër ndryshimit të klimës.

Sipas burimeve diplomatike, Presidenti kinez Xi Jinping është ftuar të mbajë një fjalim në samitin e kësaj jave.

Më 17 prill, Shtetet e Bashkuara dhe Kina lëshuan një deklaratë të përbashkët duke premtuar masa urgjente të kontrollit të klimës, pas takimeve me zyrtarë kinezë të të dërguarit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara për klimën, John Kerry.

Shkencëtarët, grupet mjedisore dhe drejtues biznesesh po i bëjnë thirrje Presidentit Biden për vendosjen e një objektivi që deri në vitin 2030 emetimet e gazit në ShBA të ulen me të paktën 50 për qind nën nivelet e vitit 2005./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!