Blinken përmbyll vizitën në Lindjen e Mesme pa marrëveshje armëpushimi në Gazë

schedule08:19 - 21 Gusht, 2024

schedule 08:19 - 21 Gusht, 2024

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, synoi që gjatë vizitës së tij në Lindjen e Mesme të arrihej një marrëveshje armëpushimi në Gazë. Por, kryediplomati amerikan përmbylli udhëtimin e tij në këtë rajon pa një marrëveshje mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Blinken dhe ndërmjetësit nga Egjipti dhe Katari kanë varur shpresat te një propozim “kompromisi” të prezantuar nga SHBA-ja që synon të ngushtojë dallimet mes Izraelit dhe Hamasit në luftën 10-mujore, pasi negociatat përfunduan javën e kaluar pa një marrëveshja.

Marrëveshja “duhet të bëhet dhe duhet të arrihet në ditët në vijim. Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi” që kjo të arrihet, tha Blinken për gazetarët në Doha të martën, para se të nisej drejt Uashingtonit.

Një zyrtar i lartë i administratës amerikane, që udhëtonte me Blinkenin, tha se SHBA-ja pret që bisedimet për armëpushim të vazhdojnë këtë javë.

Të martën, Blinken qëndroi në Egjipt, ku zhvilloi bisedime me presidentin Abdel-Fatah El-Sisi, dhe më pas vizitoi Katarin.

Të hënën ai ishte takuar me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu. Pas takimit me të, Blinken tha se Izraeli ka pranuar propozimin dhe i bëri thirrje edhe Hamasit që ta pranojë. Grupi radikal palestinez nuk e ka refuzuar propozimin në mënyrë eksplicite, por ka thënë se propozimi i fundit zhbënë kushtet për të cilat palët janë pajtuar paraprakisht. /REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!