Blinken në vizitë të paparalajmëruar në Ukrainë

schedule08:23 - 14 Maj, 2024

schedule 08:23 - 14 Maj, 2024

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, arriti në Ukrainë në orët e vona të 13 majit. Gjatë kësaj vizite ai do të takohet me zyrtarë të lartë ukrainas për të riafirmuar mbështetjen e Uashingtonit për Ukrainën, teksa Kievi po lufton pushtimin rus, tha zëdhënësi Matthew Miller.

Blinken do të takohet me presidentin Volodymyr Zelensky, kryeministrin Denys Shmyhal, dhe ministrin e Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.

Sipas zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, kryediplomati amerikan dhe udhëheqja ukrainase do të diskutojnë për “më të rejat nga fushëbeteja, për ndikimin e ndihmës së re amerikane në fushën e sigurisë dhe ekonomisë dhe për zotimet afatgjata për siguri dhe zotime të tjera”.

Ai shtoi se Blinken po ashtu gjatë ditës do të mbajë një fjalim para studentëve të një poliklinike në Kiev. Vizita e Blinkenit në Ukrainë po ndodh disa javë pasi Kongresi amerikan miratoi paketën e ndihmës ushtarake për Ukrainën në vlerë prej 61 miliardë dollarësh.

Ndihma pritet të dërgohet në Ukrainë me ritëm të përshpejtuar.

“Pikë së pari, ky udhëtim do të dërgojë një sinjal të fortë për të siguruar ukrainasit, që sigurisht janë në moment të vështirë, për shkak të luftimeve të ashpra në frontin lindor, por po ashtu me rusët që pritet të bëjnë disa sulme ndërkufitare në Harkiv”, tha një zyrtar amerikan.

Vizita e fundit në Ukrainë e një zyrtari të lartë amerikan u zhvillua në mars, kur këshilltari për siguri kombëtare Jake Sullivan vizitoi shtetin që po përballet me pushtimin e paprovokuar që nisi Moska në shkurt të vitit 2022.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!