Blinken letër DASH, pas shprehjes së pakënaqësisë nga disa prej tyre lidhur me krizën në Gazë

schedule11:57 - 22 Tetor, 2023

schedule 11:57 - 22 Tetor, 2023

Pakënaqësitë mbi politikën e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur Izraelin në luftën kundër militantëve të Hamasit u bënë publike këtë javë pasi një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit dha dorëheqjen në shenjë proteste.

Josh Paul ka punuar në çështjet globale të transferimit të armëve dhe ka qenë drejtor i Zyrës për Çështjet e Kongresit dhe Marrëdhëniet me Publikun në Byronë e Çështjeve Politiko-Ushtarake të Departamentit të Shtetit. Ai njoftoi dorëheqjen të mërkurën përmes një postimi në platformën LinkedIn, duke përmendur kundërshtimin e tij ndaj vazhdimit të ndihmës ushtarake të Shteteve të Bashkuara për Izraelin ndërkohë që vazhdon fushata e bombardimeve në Rripin e Gazës dhe bllokada ndaj këtij territori palestinez.

Zoti Paul tha se përgjigjia e Izraelit ndaj sulmit brutal të Hamasit ndaj civilëve izraelitë më 7 tetor ka rënduar krizën humanitare për 2.2 milionë palestinezë. Ai tha për kanalin PBS lidhur me transferimin e armëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Izraelin se “sistemi është i dëmtuar”.

“U kam shkruar një numri udhëheqësish brenda Departamentit të Shtetit, duke i pyetur ‘a mund të ndalemi dhe të analizojmë nëse ky veprim na ndihmon të arrijmë aty ku duam përpara se të marrim një vendim të tillë (për dërgim të armëve)’…nuk mora përgjigje për këtë”, tha ai.

Zoti Paul ka punuar në Departamentin e Shtetit për 11 vjet. Në letrën e tij të dorëheqjes, ai dënon sulmin e Hamasit ndaj civilëve izraelitë.

“Më lejoni të jem i qartë, sulmi i Hamasit në Izrael ishte një sulm monstruoz”, tha ai.

“Por unë kam bindjen e thellë se përgjigja e Izraelit, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për këtë dhe për status kuonë, do të thellojnë më tej vuajtjet për popullin izraelit dhe atë palestinez dhe nuk është në dobi të interesit afatgjatë të Amerikës”, tha zoti Paul.

Departamenti i Shtetit nuk bëri komente të drejtpërdrejta mbi dorëheqjen e zotit Paul, duke thënë se kjo ishte një çështje personale. Por në një letër, të siguruar nga Zëri i Amerikës, drejtuar të gjithë personelit të Departamentit të Shtetit, Sekretari i Shtetit Antony Blinken shprehë falënderimin e tij për punën e tyre ndërsa ai po kthehej nga një udhëtim në shtatë vende të Lindjes së Mesme. Zoti Blinken në letër thotë se dinte që konflikti kishte ndikim personal tek disa diplomatë dhe anëtarë të tjerë të personelit.

“Disa kolegë në rajon, veçanërisht personeli vendas, kanë qenë drejtpërdrejtë të ndikuar nga dhuna, përfshirë humbjen e të dashurve dhe miqve të tyre.”

Zoti Blinken e pranoi se disa anëtarë të personelit të Departamentit të Shtetit në Shtetet e Bashkuara ishin ndikuar nga situata në Lindjen e Mesme.

“Të tjerët kanë ndjerë pasojat e valës së fanatizmit të nxitur nga konflikti, përfshirë ata që janë në Shtetet e Bashkuara, ku veprimet e urrejtjes ndaj arabo-amerikanëve, myslimanëve dhe hebrenjve po i bëjnë njerëzit të ndihen të pambrojtur në komunitetet e tyre, thjeshtë për shkak të identitetit dhe besimit të tyre”, thuhet në letrën e zotit Blinken.

Sekretari Blinken theksoi se Presidenti Biden e ka bërë të qartë që nga fillimi i krizës se ndërsa Shtetet e Bashkuara mbështesin të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur, mënyra se si bëhet kjo është gjithashtu e rëndësishme. “Kjo do të thotë se Izraeli duhet të veprojë në përputhje me ligjet dhe standardet ndërkombëtare dhe humanitare dhe të tregohet i kujdesshëm me mbrojtjen e civilëve”, tha ai.

Letra e Sekretarit Blinken pasoi njoftimet në media për reagime të zemëruara dhe me lotë nga anëtarë të personelit të Departamentit të Shtetit ndaj krizës humanitare në Rripin e Gazës në javën e fundit.

Shprehja publike e pakënaqësive të zyrtarit Josh Paul ndodhi përpara fjalimit të Presidentit Biden të enjten mbrëma, në të cilin i bëri thirrje Kongresit që të miratonte më shumë se 100 miliardë ndihma për Izraelin, Ukrainën dhe Tajvanin.

Presidenti Biden tha se pozicionimi kundër terroristëve të Hamasit dhe Presidentit rus Vladimir Putin është çështje e sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara. /VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!