Ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken është në një tur në Lindjen e Mesme, ai do të fokusohet në zgjatjen e pauzës mes Izraelit dhe Gaza, për lirimin e më shumë pengjeve dhe kalimin e më shumë ndihmave humanitare, tha ai në një konferencë të mërkurën në Bruksel.
Blinken do të shkojë në Izrael, Bregun Perëndimor dhe Emiratet e Bashkuara Arabe në ditët në vijim.
“Ne do të donim të zgjatej armëpushimi sepse ka mundësuar, para së gjithash, lirimin e pengjeve dhe bashkimin me familjet e tyre,” tha Blinken.
“Na ka mundësuar gjithashtu të shtojmë ndihmën humanitare për njerëzit e Gazës, të cilët kanë aq shumë nevojë për të.
Pra, vazhdimi i tij, do të thotë se më shumë pengje do të kthehen në shtëpi, më shumë ndihmë do të kalojë për banorët e Gazës.”
“Ne do të diskutojmë me Izraelin se si mund të arrijë objektivin e tij për të siguruar që sulmet terroriste të 7 tetorit të mos ndodhin më, ndërkohë që do të mbështesim dhe rrisim ndihmën humanitare dhe do të minimizojmë vuajtjet dhe viktimat e mëtejshme midis civilëve palestinezë”, tha diplomati i lartë amerikan.
“Tani për tani, të gjithë janë të përqendruar në atë që po ndodh në Gaza tani, por ne gjithashtu duhet të jemi të fokusuar në të njëjtën kohë për të ndaluar që diçka e tillë të ndodhë sërish”, tha Blinken.
/abcnews.al