Blinken fluturon për në Evropë mes frikës së pushtimit të Ukrainës nga Rusia

schedule06:45 - 19 Janar, 2022

schedule 06:45 - 19 Janar, 2022

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken do të udhëtojë në Evropë të mërkurën mes frikës në rritje se një pushtim rus i Ukrainës mund të jetë i pashmangshëm. Blinken do të zhvillojë diskutime me presidentin Volodymyr Zelensky në Kiev, përpara se të takohet me homologët e tij britanikë, francezë dhe gjermanë në Berlin. Të premten ai do të takohet me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov në Gjenevë.

Rusia ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo plan për të nisur një sulm ndaj Ukrainës fqinje. Megjithatë të martën zyrtarë të lartë amerikanë thanë se Moska mund të nisë një pushtim në “çdo moment”. Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, u tha gazetarëve se vendosja e dhjetëra mijëra trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën kishte krijuar një “situatë jashtëzakonisht të rrezikshme” raporton “BBC”.

Ajo tha se “asnjë opsion nuk është jashtë tryezës “për të shmangur shpërthimin e konfliktit dhe shtoi se “ajo që Sekretari Blinken do të bëjë është të theksojë shumë qartë se ka një rrugë diplomatike përpara”. Një zyrtar i lartë i departamentit të shtetit, duke folur në kushte anonimiteti, i tha agjencisë së lajmeve “AFP” se zoti Blinken do të kërkojë t’i ofrojë zotit Lavrov një “dalje diplomatike” nga kriza gjatë bisedimeve të premten. Turneu diplomatik pason bisedimet jopërfundimtare midis Moskës dhe vendeve perëndimore javën e kaluar dhe zyrtarët e departamentit të shtetit thonë se Blinken do të kërkojë “të përforcojë angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës” gjatë takimit të tij me Presidentin Zelensky.

Diplomati i lartë amerikan pritet gjithashtu të kërkojë të forcojë mbështetjen mes aleatëve perëndimorë për të imponuar ato që zyrtarët e quajtën “pasoja masive dhe kosto të rënda ekonomike për Rusinë” nëse ndodh një pushtim.  / abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!