Blinken “dhëmbë për dhëmbë” me Putin: Nuk kërkojmë konflikt, por nëse vjen tek ne jemi gati

schedule10:18 - 4 Mars, 2022

schedule 10:18 - 4 Mars, 2022

Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken i është përgjigjur dhëmbë për dhëmbë kërcënimit të Vladimir Putin. Teksa po fliste përpara një takimi me ministrat e jashtëm të NATO-s dhe BE-së në Bruksel këtë mëngjes, lidhur me situatën e luftës në Ukrainë ai tha: “Thënë thjesht, në vazhdën e agresionit të paprovokuar dhe të paramenduar të Rusisë kundër Ukrainës, kjo aleancë u bashkua me shpejtësi, unitet dhe vendosmëri, duke nisur menjëherë grupin e punës së reagimit të shpejtë, duke vënë në zbatim planet për të vazhduar për të forcuar sigurinë e NATO-s”.

KËTU lexoni gjithçka nga lufta sot në Ukrainë

“Çdo aleat në një mënyrë apo tjetër po i vjen në ndihmë Ukrainës, çdo aleat në një mënyrë apo tjetër po ndihmon në forcimin e vetë NATO-s”.

Blinken shtoi se NATO kërkon “të mos ketë konflikt”, por “nëse konflikti vjen tek ne, ne jemi gati dhe do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s”.

Ai foli edhe për shpërthimin në centralin bërthamor Zaporizhzhia, më i madhi në Evropë: “Gjatë natës, ne kemi parë gjithashtu raporte për sulmin kundër një termocentrali bërthamor. Kjo thjesht tregon pamaturinë e kësaj lufte dhe rëndësinë e përfundimit të saj dhe rëndësinë e tërheqjes së të gjitha trupave nga Rusia dhe angazhimit në mirëbesim në përpjekjet diplomatike”.

Ministrat e jashtëm të NATO-s dhe BE-së po mblidhen sot në Bruksel për takime për të diskutuar situatën në Ukrainë.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!