E gjithë popullsia e Gazës vuan nga pasiguria ushqimore, tha sot Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, duke cituar të dhënat e OKB-së, në një konferencë për shtyp në Manila, ku ndodhet për një vizitë zyrtare.
“Sipas masës më të njohur për këtë çështje, 100% e popullsisë së Gazës vuan nga pasiguria ushqimore. Është hera e parë që një popullsi e tërë ndodhet në këtë gjendje”, tha Blinken, duke nënvizuar urgjencën për të marrë më shumë ndihma humanitare në enklavën palestineze.
Blinken do të vizitojë Arabinë Saudite dhe Egjiptin këtë javë për bisedime mbi përpjekjet për të arritur një armëpushim në Gaza dhe për të përshpejtuar dërgimin e ndihmave humanitare.
Sekretari amerikan i Shtetit vuri në dukje gjatë intervistës që dha sot në Manila se vizita e tij ka qëllime të ndryshme, duke përfshirë arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit dhe sigurimin e lirimit të pengjeve.
Vizita po bëhet “për të diskutuar arkitekturën e duhur për një paqe të qëndrueshme rajonale”, vuri në dukje gjithashtu në intervistën e tij Sekretari Amerikan i Shtetit.
/abcnews.al