U kapën me rreth 7 milionë lekë, arrestohen dy të rinjtë në Dibër

schedule11:31 - 23 Prill, 2021

schedule 11:31 - 23 Prill, 2021

Dibër-Policia e Dibrës ka arrestuar dy personat të cilët dje u ndaluan nga anëtarët e Partisë Demokratike në këtë zonë, pasi pretendohej se po blinin vota.

Bëhet fjalë për juristin e bashkisë Denis Gjoli me detyrën e Drejtorit Juridik në Bashkinë e Bulqizëz si dhe Albjon Ceku, aktivist i Partisë Socialiste pjesë e shtabit socialist.

Këta persona u ndaluan në hyrje të Maqellarës ku në makinën e tyre u gjet një shumë prej rreth 7 milionë lekësh që dyshohet se do i përdornin për të blerë vota.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë, bënë arrestimin në flagrancë të tyre, për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë, bënë arrestimin në flagrancë, për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore” të shtetasve:

A. C., 25 vjeç dhe D. Xh., 36 vjeç, banues në Maqellarë, Dibër.

Më datën 22.04.2021, rreth orës 14:00, në segmentin rrugor Maqellarë-Peshkopi, në automjetin me të cilin udhëtonin shtetasit e lartpërmendur, Policia sekuestroi një shumë lekësh, modelar për të orientuar zgjedhësit për mënyrën e votimit si dhe fletëpalosje të një subjekti politik.

Gjithashtu ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik”, për shtetasit A. S. dhe G. H., banues në Dibër, pasi u kanë bllokuar rrugën dy shtetasve të arrestuar, në afërsi të rrethrrotullimit të Maqellarës, duke bllokuar rrugën Peshkopi – Maqellarë.

Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur iu referuan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme. E.L/abcnews.al/

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!