Do të ketë apo jo konkurrencë deri në fund në derbin e kryeqytetit? Ish-portieri i të dyja skuadrave, Blendi Nallbani, bën parashikimin e tij dhe mendon se do të fitojë Tirana.
Një intervistë përpara kësaj ndeshjeje nuk mund të jetë ndryshe. Pavarësisht se mund të ketë dyshime dhe hamendësime, sërish derbi Partizani-Tirana duhet komentuar si kulmi i konkurrencës në futboll, të paktën në Shqipëri.
Blendi Nallbani, njeriu që i veshi të dyja fanelat e kundërta në karrierë, nuk del jashtë këtij stereotipi, ndërsa bën këtë parashikim për ndeshjen e Superligës.
Nallbani: “Më shumë i shërben Tiranës se është në gjendje kritike se Partizani në 99.9 % është kampion, asnjëherë këto dy klube nuk kanë toleruar. Spektakël do bëhet. Të dielën Partizani të shpallet kampion dhe Tirana të mbijetojë”.
Kur i thua se Tirana mund të ketë më shumë presion, ish-portieri e gjen shpejt përgjigjen.
Nallbani: “Presion ne kemi pasur që të dilnim kampion vite më parë kurse tani ka ndryshuar dhe Tirana duhet të arrijë në kategori, por Tirana ka emër të madh, është klub i madh dhe ka një fanellë shumë të rëndë dhe çunat duhet ta dinë se ç’fanelë kanë vesh”.
Një mendim për trajnerët Gega e Mema, të cilët I ka njohur shumë mirë.
Nallbani: “Unë kam lujt me ta, e kam mbajt afër. Kam qenë me Skënderin kur e kam pas qendër mbrojtës, njeri model në fushë e jetë. Me ardin jam rrit kemi pas lidhje mes familjeve”.
Pavarësisht se parashikon betejë, sërish Nallbani e zbut paksa, duke thënë se Partizani nuk dëshiron të mbetet pa Tiranën.
Nallbani: “Unë kam lujt me dy ekipet i kam provu të dy derbet, kam ndejt me tifozeritë i di ç’urrejtje kanë me njëri-tjetrin, por prapë se prapë kanë dashuri, nuk rrinë dot pa njëra-tjetrën se nuk rrinë dot pa u gric me njëri tjetrin”. /ABC News Albania 24/7

