Blegtorët e Rajcës së Përrenjasit nuk kanë treg për shitjen e bulmetit. Një prej tyre Shebrit Halili ka 140 dhi. Thotë se nuk kanë mundësi që të shkojnë deri në qytete për të çuar produktet, pasi çmimi i naftë është rritur shumë. Por dhe ushqimet e të imtave janë rritur. Tregon se banorët po braktisin fshatin, pasi po falimentojnë.
“Qyteti është larg, këtu s’ka baxho, mundohemi po s’po marrim atë që duhet. ata që po mbajnë bagëti janë drejt falimentimit dhe unë që po rezistoj s’po e përballoj dot se kostot janë shumë të larta. Po I mbaj me zor. Fshati po e braktis blegtorinë.”
Fermeri i kërkon qeverisë që t’i mbështesë me subvencione. Një vit më parë ka aplikuar po nuk mori mbështetje financiare, ndërsa këtë vit s’ka marrë ende përgjigje.
“Vitin e kaluar s’morëm, pak morën të tjerët i fshiu goma. Pa subvencionime nuk mund të punohet. Qeveria të na subvencionojë të na ndihmojë sadopak që të mbajmë fshatin gjallë. Maqedonia merr 50 euro për një kokë, I shkon 5 a 6 mijë euro një blegtori që merr nga shteti, po ne të paktën të na mbulojë gjysmën, të paktën 50%.”
Këtë vit me qindra fermerët janë përballur me kosto më të lartë për shkak të rritjes së çmimeve të naftës, të ushqimet të bagëtive dhe imputeve bujqësore. Shumë prej tyre kanë vendosur të shesin bagëtitë dhe të tjerë i kanë lënë tokat pa mbjellë. /abcnews.al/