Biznesmeni Ilir Dedja mohon përfshirjen në aferën 60 milion dollarë në Zimbabve: S’kam shkelur kurrë atje

schedule14:41 - 23 Qershor, 2020

schedule 14:41 - 23 Qershor, 2020

Biznesmeni shqiptar Ilir Dedja ka reaguar në lidhje me publikimet e fundit në mediat e huaja si edhe ato shqiptare në lidhje me një skandal 60 milion dollarësh që çoi pas hekurave ministrin e Shëndetësisë së shtetit afrikan të Zimbabves.

Përmes një reagimi publik, Dedja mohon të ketë lidhje me këtë skandal duke theksuar se nuk ka qenë kurrë në këtë shtet e jo më të ketë zhvilluar takime apo të ketë dalë në fotografi më zyrtarë të lartë të këtij shteti.

Dedja thekson se nuk ka asgjë të parregullt në Zimbave, me të cilat mund të lidhet ai apo kompanitë e tij.

Sëfundmi, në disa media shqiptare u publikua edhe fotografia e pasaportës së tij, të cilën Dedja e cilëson një dhunim të drejtpërdrejt të privatësisë.

“Se fundmi është dhunim i privatësisë sime, publikimi i fotos së pasaportës. E kuptoj dëshirën për të bërë lajm, por jo deri në atë pikë sa mund të cenoni lirinë e një njeriu, liri e cila garantohet me ligj”, shkruan ai.

Pak ditë më parë, media afrikane ZimLive shkruajti për një aferë 60 milion dollarëshe në lidhje me materialet e mbrojtjes nga koronavirusi, kontratë për të cilën u arrestua edhe ministri i Shëndetësisë në këtë shtet.

ZimLive shkruante se në këtë skandal ishte përfshirë edhe një biznesmen shqiptar i quajtur Ilir Dedja, por ky i fundit ka hedhur poshtë gjithçka duke këmbëngulur se nuk ka shkelur kurrë në shtetin afrikan.

Reagimi i plotë i biznesmenit Ilir Dedja

Të nderuar,

Për ditë me rradhë kam vërejtur me shumë kujdes publikime të panumurta në media dhe portale online, të cilat në thelb kanë keqinformimin dhe denigrimin e figurës së një qytetari.

Po shkruaj për të qartesuar dhe informuar këdo që kërkon të mësojë të vërtetën:

Une, Ilir Dedja nuk kam qënë kurrë në Zimbabëe, nuk kam zhvilluar kurrë takime me zyrtare të qeverisë Zimbabvese dhe une nuk mund të jem kurresesi personi në foton e shumëpërfolur.

Jetoj prej kohësh larg Shqipërisë duke punuar me dinjitet dhe duke ruajtur me fanatizëm integritetin dhe reputacionin tim.

Publikimet tuaja kanë përbaltur dhe dëmtuar rëndë imazhin tim dhe të kompanive që unë drejtoj. Implikimi i bizneseve të mia me emrin e një biznesmeni tjetër është një trillim dhe asgjë më tepër.

Asgjë e pandershme apo e parregullt nuk është bërë nga kompanitë që ju keni përfolur në shtetin e Zimbabves.

Cështja është në dorën e Avokatëve dhe shumë shpejt e vërteta do të zbardhet për të gjithë “kontratat e miliona dollarët” që paskam përvetësuar.

Kur kjo të ndodhë, shpresoj të gjeni kohën të shkruani dhe për këtë.

Do të kisha bashkëpunuar me cilëndo media e cila do të kish shprehur dëshirën e mirë për të kërkuar të vërtetën përpara se të ishtë duke shpifur “lajmin” e rradhës apo të bëhej “gjykatësi” i punës dhe biznesit tim.

Se fundmi është dhunim i privatësisë sime, publikimi i fotos së pasaportës. E kuptoj dëshirën për të bërë lajm, por jo deri në atë pikë sa mund të cenoni lirinë e një njeriu, liri e cila garantohet me ligj.

Nëse pretendojmë se jemi në demokraci, publikime të tilla do të zgjidheshin vetëm në rrugë ligjore.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!