Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna thotë se biznesi në Kosovë, është pro dialogut publik, privat dhe se ligjet janë përshtatur me ato të Bashkimit Evropian.
Në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, Rafuna u shpreh se në Kosovë, kërkohet rishikimi i politikave fiskale, por edhe rritja e investimeve kapitale.
Sipas Rafunës, mes dy vendeve duhet të sistem të unifikuar të tatimit të vlerës së shtuar.
“Në Kosovë, biznesi është shumë pro dialogut publik privat, nuk e refuzon dialogun, nuk kërkojnë më shumë se bizneset e rajonit, apo të BE. Për shkak të prezencës ndërkombëtare, janë adaptuar dhe të gjitha direktivat e BE. Biznesi i Kosovës kërkon që qeveria, pavarësisht se cila parti është duke udhëhequr, t’i japë të drejtat që i kanë dhe gëzojnë vendet e rajonit dhe BE. Kemi 6 vite që nuk kemi rifreskim të politikave fiskale. Biznesi i Kosovës ende e krediton shtetin, në momentin që e zhdoganon në kufi. Kjo është një kërkesë. Kërkesë tjetër e biznesit, sfida ka dalë që edhe kjo fuqi punëtore që kemi, nuk i përgjigjet tregut. Të shpejtohet reforma në sundimin e ligjit. Kërkesa tjetër që veçohet, të ketë më shumë investime kapitale. Kosova ka borxhin më të ulët publik, 17 përqind. Këto janë kërkesa shumë të arsyeshme. Kur të caktohet mbledhja e re, të shikohet mundësia, që Shqipëria dhe Kosova të kalojnë në një sistem të unifikuar të tatimit të vlerës së shtuar, me një faturë tatimore, malli të qarkullojë nga Prishtina në Tiranë. Kjo do të largonte shumë burokracinë.”, theksoi ai./abcnews.al

