Biznesi kundër fiskalizimit: Të shtyhet deri në fund të pandemisë

schedule15:25 - 14 Dhjetor, 2020

schedule 15:25 - 14 Dhjetor, 2020

Nga Erblina Mile

Sipërmarrjet shqiptare nuk janë gati për të nisur faturimin on-line në 1 janar të viti të ardhshëm. Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Nikolin Jaka deklaron se ky është një vendim i njëanshëm i qeverisë dhe janë të painformuar.Sipas Jakës një nismë e tillë  do të rëndojë edhe më shumë biznesin i cili po lëngon për shkak të pandemisë.

“Megjithëse është një debat ajo që më bën përshtypje është mënyra e vendosjes së gjërave. Ka gjithmonë një mënyrë të njëanshme dhe kjo është shumë e rrezikshme”, thotë Jaka.

Kreu i dhomës së tregtisë bën apel që një nismë e tillë të shtyhet   deri në stabilizim të situatës së krijuar nga pandemia. Biznesi në vend po përballen me ulje të ndjeshme të fitimeve dhe një kosto e tillë do të ishte e padrejtë.

“Unë mendoj se duhet të shtyhet. Për të kaluar situatën ku ne ndodhemi. Vetëm në Shqipëri ngrejnë armët, që sa herë ndodh një gjë në Shqipëri fajin e kanë bizneset”, thekson ai.

Sipas Jakës  institucionet shqiptare nuk kanë ende një vlerësim të saktë se çfarë impakti do të ketë në faturimi online në uljen e informalitetit.

Në 1 janar do të nisë procesi i fiskalizimit për rreth 7600 subjekte që kryejnë transaksione me shtetin,në 1 korrik  do shtrihet për kategorinë biznes me biznes dhe në 1 shtator për  të gjitha transaksionet. Në zonat ku nuk do të ketë mbulim interneti parashikohet dorëzimi i të dhënave në mënyrë fizike ndërsa një kosto fillestare e vendosjes së softëerit përllogaritet të shkojë deri ne 500 euro. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!