Biznesi i madh i pasluftës: Kush do ta rindërtojë Ukrainën?

schedule10:01 - 8 Dhjetor, 2022

schedule 10:01 - 8 Dhjetor, 2022

Nga Federico Giuliani “Il Giornale”

Përktheu Alket Goce-abcnews.al

Mijëra raketa ruse janë lëshuan mbi Ukrainë në gati 1 vit luftë. Dhjetëra qytete të mëdha janë shkatërruar, fshatra të tërë janë fshirë nga harta. Shtëpi, godina dhe struktura u shndërruan në gërmadha. Këto janë vetëm disa nga plagët me të cilat herët a vonë, dikush do ta gjejë veten duke u përballur.

Një gjë është e sigurt: asnjë konflikt nuk është i pafundmë, dhe këtu nuk bën përjashtim as ai që po zhvillohen në territorin ukrainas që nga 24 shkurti i këtij viti. Do të vijë në mënyrë të pashmangshme një periudhë kur Moska dhe Kievi do të arrijnë një armëpushim, në mos një traktat paqeje.

Nuk e dimë nëse kjo do të ndodhë në mënyrë paqësore, si pasojë e natyrshme e një lufte që nuk mund të përballohet më nga asnjë palë, apo pas kapitullimit të njërës prej dy palëve ndërluftuese. Përtej të gjitha parashikimeve, e sigurtë është se pasi të përfundojë shkatërrimi, do të pasojë një periudhë rindërtimi.

Pyetja miliona dollarëshe, së cilës askush nuk mund t’i përgjigjet për momentin është: Kush do ta rindërtojë Ukrainën? Kjo edhe për shkak se dëmet materiale të shkaktuara deri tani janë shumë të mëdha. Sipas një studimi të kryer nga Shkolla Ekonomike e Kievit, të publikuar në gusht, lufta kishte shkaktuar 108.3 miliardë dollarë dëme në infrastrukturën e Ukrainës, raporton abcnews.al.

Ministria ukrainase e Mbrojtjes vlerësoi se konflikti ka lënë 3.5 milionë njerëz të pastrehë, ka shkatërruar 105.200 makina, 43.700 makineri bujqësore, 764 kopshte, 1.991 dyqane dhe 634 objekte kulturore. “New York Times” ka raportuar për shkatërrimin e 140.000 godinave të banimit, ndërsa burime të tjera flasin për 114.700 shtëpi.

Ndërkohë dëmi në infrastrukturën e transportit, duke përfshirë rrugët dhe aeroportet, arrin në  31.6 miliardë dollarë. Duke hyrë më në detaje, hekurudhat kanë pësuar 3.6 miliardë dëme, të cilave duhet t’i shtohen më shumë se 23 mijë kilometra rrugë të pakalueshme (rreth 15 për qind e vendit).

Po ashtu zjarri dhe flakët në mbi 100.000 makina, ka shkaktuar deri më sot një dëm nga 1- 2 miliardë dollarë. Nga ana tjetër, dëmi i pësuar pas shkatërrimit të të korrave dhe tokës bujqësore është rreth 5 miliardë dollarë. Sipas vlerësimeve të tjera, për riparimin e dëmeve në infrastrukturë duhen rreth 185 miliardë dollarë.

Në maj, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se lufta i kishte kushtuar kombit rreth 600 miliardë dollarë deri në atë moment. Por kjo nuk është e gjitha. Sepse përveç dëmeve materiale ka edhe dëme jo-materiale po aq të mëdha.

Sipas Kombeve të Bashkuara, lufta në Ukrainë ka zhvendosur më shumë se 8 milionë njerëz. 6.5 milionë prej tyre kanë kaluar në vendet fqinje, përfshirë Poloninë dhe Moldavinë, për të kërkuar strehim nga konflikti. Në rast se lufta do të vazhdojë për shumë më gjatë, Banka Botërore parashikon se PBB ja e Ukrainës do të tkurret me 45 për qind deri në fund të këtij  viti, raporton abcnews.al.

Për më tepër, të dhënat ekonomike janë alarmante, duke qenë se 30 për qind e kompanive janë mbyllur, dhe 1 në 2 kompani është detyruar të reduktojë prodhimin. Për të mos përmendur kolapsin e investimeve, bllokimin e dërgesave, mungesat gjithnjë e më me ndikim të energjisë elektrike, rënien e eksporteve dhe importeve, si dhe largimin e 1/3 së popullsisë. Kufiri i varfërisë mund të shkojë nga 1.8 për qind në vitin 2021 në 19.8 për qind deri në fund të këtij viti.

Rreziku i madh është se flitet për realizimin në praktikë, projekti i rindërtimit të Ukrainës mund të kthehet në biznes të madh. Kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, paraqiti një plan rikuperimi prej 750 miliardë dollarësh për rindërtimin e vendit pas përfundimit të luftës.

Në qershor, kancelari gjerman Olaf Scholz iu referua Planit Marshall, një program i financuar nga SHBA që ndihmoi në rindërtimin e Evropës Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore, si një model për rindërtimin e Ukrainës. Pra pa llogaritjet e ndryshueshme dhe ende të pasakta,  kostoja e rindërtimit të Ukrainës luhatet midis 200 dhe 800 miliardë dollarëve.

Po flasim për shifra të mëdha, që janë të njëjta, në mos më të larta sesa PPB-ja e Ukrainës e paraluftës. Prandaj, nuk mund të pritet që ukrainasit të paguajnë vetëm për rindërtimin: Evropa dhe Shtetet e Bashkuara do të bëjnë pjesën e tyre.

Në epokën e pas Luftës së Dytë Botërore, Plani Marshall i SHBA-ve dha rreth 130 miliardë dollarë (me kursin e vitit 2010) për të lehtësuar rindërtimin e Evropës. Ky plan kishte dy objektiva: rimëkëmbjen ekonomike evropiane dhe frenimin e zgjerimit të ndikimit të Bashkimit Sovjetik.

Stabilizimi ekonomik i Evropës shihej si një parakusht për ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme, që nxisin rritjen e të ardhurave dhe konsolidojnë demokracitë liberale. Siç ka theksuar “Project Syndicate”, ajo skemë financimi ishte një sukses i madh. Në Itali ajo stimuloi rritjen ekonomike dhe favorizoi zhvillimin industrial nëpërmjet ndërtimit të shpejtë të infrastrukturave, duke krijuar kushtet për një zgjerim të fuqishëm ekonomik në dekadat e pasluftës.

Në Gjermani, ajo çoi në politika të reja industriale dhe ri-forcoi rritjen ekonomike. Gjithashtu ai plan luajti një rol vendimtar në rivendosjen e stabilitetit financiar në të gjithë Evropën Perëndimore. A mund të propozojnë një plan të tillë Bashkimi Evropian dhe SHBA?

Duke e lënë pyetjen pa përgjigje, le të mos harrojmë se Plani Marshall ofron disa leksione të rëndësishme për të tashmen. Së pari, futja në ekonominë e shumave të mëdha financiare për të rindërtuar infrastrukturën mund të ofrojë fitime të mëdha. Mesatarisht, transfertat e Planit Marshall gjatë viteve 1948-1952 përfaqësonin më pak se 3 për qind të PBB-së në vendet përfituese.

Si të mos mjaftonte në vitin 1948 Plani Marshall përfaqësonte një total prej  5 për qind të PBB-së së Amerikës. Në rast se vendet e BE-së do të angazhonin sot 5 për qind të PBB-së së tyre të kombinuar për rindërtimin e Ukrainës pas luftës, ato mund të financonin një paketë ndihme prej 870 miliardë dollarësh.

Kontributet e SHBA-së mund të rrisnin më tej paketën e ndihmës. Por nuk janë vetëm Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian që po garojnë për rindërtimin e Ukrainës. Pretendente është edhe Kina, e cila ka qenë gjithmonë e pranishme në raste të ngjashme, si në Siri, Libi apo Afganistan, pra kur vendet e shkatërruara nga lufta kishin nevojë për investime madhore për të kthyer faqe, raporton abcnews.al.

Që nga viti 2019, Kina ka qenë partnerja më e madhe tregtare e Ukrainës. Ukraina është gjithashtu pjesë e Nismës së Brezit dhe Rrugës, së bashku me Rusinë. Po ashtu Kievi ka qenë për vite me radhë një shembull se si fuqitë evropiane që janë në mosmarrëveshje me BE-në mund të gjejnë miq në Pekin (si Serbia dhe Hungaria).

Kina importoi një sasi të madhe gruri nga Ukraina, dhe para konfliktit investoi shuma të mëdha parash në projekte lokale, si sistemet hekurudhore metropolitane dhe fermat e erës, të cilat me sa duket do të dëshironte që t’i vazhdonte në rastin e një marrëveshjeje paqeje.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, rindërtimi i Ukrainës – aq më tepër nëse BE-ja nuk bie dakord se si dhe kur të ndërhyjë – mund t’i ofrojë Kinës një shans të artë për të përmirësuar imazhin e saj global. Si? Për shembull duke kontribuar në ruajtjen e paqes në Ukrainë në kuadër të një misionit të Kombeve të Bashkuara.

Gjithsesi, Kina ndihet më komode në aspektin e rindërtimin fizik dhe ekonomik të Ukrainës. Ndaj infrastruktura strategjike e shkatërruar e këtij vendit mund të ringjallet falë punëtorëve dhe kompanive kineze. Për Uashingtonin dhe Brukselin do të ishte një zhvillim që duhet shmangur me çdo kusht.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!